Ministria e Kulturës ka hapur ftesën publike për projekte në fushën e trashëgimisë kulturore për sivjet. Nëpërmjet kësaj thirrjeje për organizata joqeveritare, institucioni më i lartë kulturor në vend synon që të përkrahë projekte që lidhen direkt me trashëgiminë kulturore.
Sipas shpalljes janë pesë objektiva që MKRS-ja pretendon t’i arrijë. Promovimi i trashëgimisë kulturore, edukimi dhe pjesëmarrja aktive në mbrojte të trashëgimisë, promovimi i diversitetit kulturor, rritja e numrit të botimeve, guidave e mediumeve virtuale, si dhe promovimi i gastronomisë lokale e tradicionale, janë objektivat e ftesës publike. Sivjet, varësisht nga projektet që do të aplikojnë, Ministria ka paraparë mbështetje financiare deri në 200 mijë euro për organizatat joqeveritare. Kurse vlera maksimale për një projekt mund të shkojë deri në 10 mijë euro.
Sipas konkursit të hapur në ditën e 19-të të këtij muaji, e i cili përfundon më 8 qershor, të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e regjistruara në vend apo në ndonjë shtet ku është e koncentruar diaspora shqiptare, si dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e trashëgimisë kulturore. Organizatat mund të konkurrojnë me vetëm një projekt përderisa periudha e zbatimit është caktuar të përfundojë deri më 24 dhjetor 2020.
“Nëpërmjet fondeve publike të kësaj ftese publike mund të financohen vetëm kostot reale dhe të pranueshme për realizimin e aktiviteteve të projektit, në periudhën kohore të specifikuar me këto udhëzime. Në vlerësimin e projektit do të vlerësohen vetëm kostot e nevojave në lidhje me aktivitetet e planifikuara, si dhe në lartësinë reale të këtyre shpenzimeve”, shkruhet në shpallje. Aty sqarohet se ofruesi i mbështetjes financiare do të themelojë një komision vlerësues të përbërë nga 5 anëtarë, nga zyrtarë të institucionit dhe ekspertë tjerë të jashtëm, të cilët kanë për detyrë të vlerësojnë aplikacionet nëse i plotësojnë kushtet formale të thirrjes publike. Më pas komisioni do të përgatisë një listë të të gjithë aplikantëve që i plotësojnë kushtet për t’u vlerësuar përmbajtja e projekteve të tyre, dhe një listë të aplikantëve, të cilët nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara të konkurrencës. Më pas në fazën e dytë do të bëhet vlerësimi i përmbajtjes së aplikimeve nga ana e komisionit vlerësues i përbërë nga 5 anëtarë.
“Në bazë të vlerësimit të aplikacioneve, të cilat i kanë plotësuar kushtet e parashikuara të thirrjes, komisioni do të hartojë një listë të përkohshme të projekteve të përzgjedhura, sipas pikëve që ata kanë marrë në procesin e vlerësimit. Shuma totale e kostos së projekteve të radhitura në listën e përkohshme nuk do të kalojë shumën totale të ofruar për financim përmes thirrjes publike”, shkruhet në shpallje.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se institucioni ku ajo punon gjithëpërfshirjen e ka obligim sa i përket mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
“Kemi pasur në konsideratë edhe rrethanat e pandemisë dhe buxheti këtë vit është më i lartë. Pandemia pos anëve negative mund të sjellë ndonjë risi sa i përket promovimit të trashëgimisë kulturore. Shoqëria civile bën shumë punë që institucionet nuk i bëjnë”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se në bazë të rregullores për subvencionim edhe personat fizikë mund të paraqesin propozimet e tyre sa u përket projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore. “Komisioni është me mandat njëvjeçar dhe aplikacionet e personave fizikë pranohen dhe shqyrtohen gjatë gjithë vitit”, ka thënë ajo.