Kulturë

Është anuluar ngjarja e përvitshme “Comic-Con”

Ngjarja madhore e San Diegos, “Comic-Con”, është ndër organizimet e fundit të profilit të lartë që është anuluar, për herë të parë në 50 vjetët e historisë së saj.

E njohur si një ngjarje e rëndësishme e showbizit, e cila i mbledh në një vend të gjithë adhuruesit e librave komikë, dhe tradicionalisht ndiqet nga më shumë se 167.000 njerëz, ishte planifikuar të mbahej nga 23 deri më 26 korrik. Tani edicioni i radhës i “Comic-Con” do të zërë vend më 22 dhe 25 korrik të vitit 2021.

“Kohët jo të zakonshme kërkojnë për masa të jashtëzakonshme, dhe pavarësisht se po ndihemi të pikëlluar për këtë veprim, e dimë se është vendimi i duhur në këtë situatë nëpër të cilën po kalon bota. Mezi presim të vijë koha e të takohemi sërish dhe t’i ndajmë përvojat tona në komunitetin të cilin e duam dhe e shijojmë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i ngjarjes “Comic-Con”, David Glanzer.

Bota e filmit dhe televizionit është prekur rëndë nga pandemia e COVID-19, duke çuar në anulimin e ngjarjeve të ndryshme, të rëndësishme dhe shtyrjen e lansimit të projekteve të shumëpritura e me buxhet të lartë si: “Wonder Woman 1984”, “Black Widow” dhe “No Time To Die”.

Edhe puna në seritë televizive është pezulluar në mes të sezoneve, për shkak të krizës shëndetësore, e cila i ka shtyrë njerëzit anembanë botës t’i kufizojnë daljet dhe lëvizjet e tyre.