S’ka muze botëror e të shumtë janë edhe ato në vendet e rajonit, të cilët nëpërmjet teknologjisë, në kohën e pandemisë kanë gjetur mënyra që të jenë sa më afër publikut. Kësisoj kanë bërë edhe institucionet qendrore të kulturës në vend, por jo edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. Pret të aktivizohet tek më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, kur ekspozitën e përhershme do ta shpalosë në 3D
Muzetë e vendeve të rajonit ka vite që një pjesë të përmbajtjeve të tyre i promovojnë edhe virtualisht. Nëpërmjet kësaj forme krijojnë qasje për vizitorë që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht në muze, por platformat online shërbejnë edhe për të “rekrutuar” vizitorë të rinj. Synohet që nëpërmjet pamjeve të joshen ata që duan të shohin nga afër asete të trashëgimisë kulturore. Ekspozitat virtuale kanë marrë “krahë” sidomos në kohën kur bota po përballet me koronavirusin. Kjo ka bërë që edhe institucionet kulturore në Kosovë të rishikojnë mundësitë që të jenë afër publikut në periudhën kur ato janë të mbyllura.
Por, prej 12 marsit kur me vendim të Qeverisë edhe institucionet e kulturës e trashëgimisë kulturore nuk janë të hapura për publik shkaku i mundësisë së shpërndarjes së virusit, Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka ofruar asgjë online për vizitorët. Ditëve të fundit është duke u punuar për këtë mundësi. Planifikohet që në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve të jetë gati një ekspozitë në 3D. Por ende nuk ka detaje të asaj që institucioni më i lartë muzeor në vend do t’u ofrojë vizitorëve virtualisht. MKK-ja nuk ka as ueb-faqe funksionale.
Prej fundshkurtit të vitit 2018, Muzeu Kombëtar i Kosovës është bërë me ekspozitë të përhershme. Paraqitet historia e vendit qysh nga koha e neolitit e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008. Edhe ekspozita arkeologjike nis në neolit, por përfundon me artefakte të mesjetës. E në katin e dytë, ku zë vend pavijoni i historisë, rrëfimet nisin me kohën e Perandorisë Osmane dhe nëpërmjet eksponateve dhe dëshmive të ndryshme përfundojnë me Pavarësinë e Kosovës. Ekspozita, që realisht hapi dyert e Muzeut për vizitorë 18 vjet pas luftës, nuk mund të shihet online.
Ajet Leci është zgjedhur drejtor i MKK-së në gusht të vitit të kaluar. Por pozitën e kishte marrë në tetor pasi Ministria e Kulturës vendosi që ai të jetë drejtor pavarësisht se në gusht kishte anuluar krejt procedurën. Leci ka thënë se Muzeu Etnologjik, që është në kuadër të Muzeut të Kosovës, iu ofron mundësinë vizitorëve t’i qasen edhe online.