Kulturë

Artisti gjerman në aksion për ta ndihmuar skenën joformale kulturore

Artisti gjerman, fituesi i çmimit “Turner”, Wolfgang Tillmans, është duke shitur posterët e veprës së tij për 50 euro, në mënyrë që të mbështesë klubet e natës dhe hapësirat për art e muzikë që janë në rrezik për të mbetur jashtë biznesit për shkak të përhapjes së COVID-19.

Tillmans, të cilit i janë bashkuar edhe 40 artistë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Mark Leckey, Betty Tompkins dhe Andreas Gursky, ka lansuar kampanjën për grumbullimin e mjeteve me qëllim që t’iu japë mbështetje financiare hapësirave kulturore “që mungesa e publikut po u shkakton krizë ekzistenciale”.

“Ka shumë vende që mund të mos marrin ndihmë apo të lihen jashtë pasi që janë vende informale në kulturë, në jetën e natës e në muzikë. Kam ndier një nevojë që të bëj diçka që ato të mos mbyllen përgjithmonë”, ka thënë ai.

Me përshkrimin si “ një edicion i palimituar, por i qasshëm vetëm për një periudhë të caktuar kohore” çmimi prej 50 eurosh është caktuar si një zgjedhje për të bërë artin të përballueshëm.

“Është një çmim që e bën donacionin serioz dhe është një shumë e ngjashme me atë që do të kishit shpenzuar në një nga këto hapësirat gjatë një natë”, ka thënë ai.

Posterët e qasshëm për t’i blerë përfshijnë portretin e James Baldwinit, realizuar nga Marlene Dumas, që mbështet revistën e Berlinit “Siegessaule”, një printim të Gilian Wearingut, duke mbajtur pankartën “All I Ever Wanted Was Love” për të ndihmuar klubin e natës “Renate”, përderisa shitjet nga “A Changeling Can Change” e Mark Leckey do të shkojnë për hapësirën shumëdimensionale të “ACUD MACHT NEU” po ashtu ne Berlin.

(The Guardian)

Tekstin e plotë mund ta lexoni falas në gazetën KOHA Ditore. Për t’u regjistruar, klikoni këtu: