Kulturë

I jepet lamtumira e fundit Rikard Ljarjes, 'Deda' do të prehet në Shkodër

Me duartrokitje, ashtu siç një artist i madh e meritonte, është përcjellë në banesën e fundit aktori dhe regjisori Rikard Ljarja. Me rregullat e diktuara nga COVID-19, Ljarja është përcjellë në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, ku dhe do të prehet në paqe, duke përmbushur kështu amanetin e "Dedës", siç njihet për shkak të rolit të tij në filmin "Rrugë të bardha"!

Bashkëshortja, aktorja e mirënjohur Marjetja Ljarja ka mbajtur në duar fotografinë e Rikardit, teksa dilte nga shtëpia e tyre modeste në zonën e Ish- ekspozitës. Rikardin, nuk braktisën as kolegët e tyre. Siç raporton Report Tv, të pranishëm ishte, Rajmonda Bulku, çifti Anagnosit, Roza dhe Dhimitri, me këta të fundit që gjetën forcë dhe thanë disa fjalë për mikun e tyre.

"Ne kemi një miqësi shumë të mirë me familje, ato që ka lënë ai nuk do të harrohen, Kanë lënë një pasuri të jashtëzakonshme për artin. Kam punuar me të si regjisor në momente shumë të vështira. Pushtoftë në paqe dhe vepra e tij të ketë një jetë sa më të gjatë", tha Roza.

Me lot në sy, por edhe me maska mbrojtëse, poshtë shtëpisë së tyre kishte dhe pak njerëz për t'i dhënë lamtumirën e fundit aktorit dhe regjisorit, siç ai e meritonte.