Kulturë

Pezullimi i projekteve me pasoja afatgjata në kulturë e trashëgimi kulturore

Kthimi në normalitet, komunitetin e trashëgimisë kulturore dhe atë të kulturës do t’i gjejë duke u përballur me problemet e vjetra. Krejt projektet kapitale në këto dy fusha – edhe ashtu të vonuara tash e disa vjet – janë bllokuar. Një pjesë e mjeteve të parapara mund të ridestinohen në masat qeveritare për parandalimin e krizës shëndetësore e ekonomike. Por për pjesëtarët e komunitetit kulturor dhe të trashëgimisë kulturore pasojat e kësaj gjendjeje mund të jenë të mëdha dhe afatgjata.

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, Ministria e Kulturës ka reprizuar shumicën e projekteve kapitale në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Në kulturë janë paraparë 22 projekte kapitale. Janë dy më shumë sesa vitin e kaluar. Prej tyre janë vetëm 6 të reja. Janë planifikuar 200 mijë euro për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” e 400 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë për Privatizim në Kosovë. Muzeu i Artit Bashkëkohor, rinovimi i bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, rinovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, disa qendra kulturore nëpër komuna, përfshirë atë në Pagarushë, që do të mbajë emrin e këngëtares Nexhmije Pagarusha, janë pjesë e projekteve kapitale në kulturë. Krejt bashkë kanë vlerë financiare prej 1 milion e 167 mijë eurosh, shkruan sot Koha Ditore.

Nga 75 që ishin vitin e kaluar, kësaj radhe janë 70 projekte kapitale në trashëgimi kulturore. Prej tyre 9 janë të reja. Për dallim prej viteve të kaluara, në këtë listë nuk figurojnë lokalitetet arkeologjike në të cilat është punuar ndër vite. Kësaj radhe buxheti i tyre është paraparë në kuadër të mallrave dhe shërbimeve, dhe subvencioneve e transfereve. Rinovimi i ndërtesës së Arkivit të Kosovës, konservimi e restaurimi i “Shtëpisë së Xhafer Devës”, ndërtim i Muzeut të Historisë së Natyrës, përfundimi i punëve në kishat ortodokse, Qendra Historike e Prizrenit, kompleksi “Eminxhiku”, “Shtëpia e Herticëve” në Prishtinë, e ajo e Hynilerëve po në kryeqytet, janë disa prej projekteve kapitale në trashëgimi kulturore. Krejt bashkë peshojnë 4 milionë e 227 mijë euro.

Burim Reçica është drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Kulturës. Ai ka thënë se pas shkresës që kanë marrë nga Ministria e Financave nuk mund të nisin asnjë projekt të ri kapital.

“Projektet e kontraktuara më herët vazhdojnë të përfillen. Muzeu i Historisë së Natyrës është projekti i vetëm i kontaktuar më herët në trashëgimi kulturore dhe kulturë”, ka thënë ai. Siç ka raportuar KOHA javën e kaluar, punimet janë ndërprerë në fund të vitit të kaluar e nuk vazhdojnë jo për shkak të pandemisë, por në mungesë buxheti. Nga krejt kompleksi, për një vit janë ndërtuar vetëm bodrumi dhe një kat i një objekti të vogël. Nuk është kryer një e treta e punës, siç edhe është paraparë. Me vetëm 80 mijë euro nga buxheti i konsoliduar e duke llogaritur në 200 mijë të tjera të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ministria e Kulturës më 7 maj të 2019-s, në lokacionin e njohur “Te pishat” në fshatin Sllatinë të Fushë-Kosovës, kishte vënë gurin themeltar. Për sivjet sa i përket projektit që peshon 2.4 milionë euro ka paraparë 100 mijë euro nga buxheti i Qeverisë dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e AKP-së. Me këtë ritëm projekti që është llogaritur të përfundojë për tre vjet do të marrë hiç më pak se një dekadë kohë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.