Kulturë

“GRANFest” shtyhet për vitin e ardhshëm

Artistë e adhurues të romanit grafik këtë vit do të kenë ta pamundur që të bëhen bashkë në kuadër të festivalit të vetëm të këtij lloji në Kosovë, “GRANFest”.

Gjendja e krijuar me pandeminë ka bërë që organizatorët ta shtyjnë edicionin e sivjetmë për vitin e ardhshëm. Mirëpo ata do të mundohen që të mbajnë afër publikun me aktivitete zëvendësuese. Në këtë mënyrë do të vazhdojë promovimi i romanit grafik te publiku kosovar.

Kanë ardhur në përfundim se nuk mund të rrezikojnë të kenë edhe komplikimin më të vogël shëndetësor si pasojë e mbajtjes së Festivalit. “Kultura është esenciale për shëndetin shpirtëror të kombit, por kjo nuk e arsyeton papërgjegjësinë përballë shëndetit fizik”, ka thënë Gani Jakupi, artisti shqiptar që jeton në Barcelonë, i cili është një nga ideatorët e organizatorët e “GRANFestit”.

Festivali këtë vit do të shënonte edicionin e dytë dhe ishte pritur që të mbahej prej 4 deri më 6 shtator. Sipas artistit Gani Jakupi, menaxhimi i pandemisë në nivel ndërkombëtar ka ndikuar edhe në ngjarjen artiske që ka plotësuar mozaikun kulturor të Prishtinës. “Bashkëthemeluesit e Festivalit, Jeton Neziraj, Agron Bajrami dhe unë, e kemi pasur këtë preokupim që nga paraqitja e pandemisë. Disa festivale janë shtyrë për ma vonë, por në rastin e ‘GRANFest-it’ kjo ishte e pamundur, raporton KOHA.

Mysafirët tanë kanë agjenda të ngjeshura, dhe çdo ndërrim i datës do ta pamundësonte mbledhjen e emrave të paraparë. Shtatori ishte ende larg dhe shumë gjëra mund të ndodhnin në ndërkohë. Fatkeqësisht, globalizimi nuk është më një nocion abstrakt”, ka thënë Jakupi. Ka shtuar se si organizatorë do të bëjnë çmos që publiku të mos i harrojë.

Sipas tij, mysafirët kanë pasur mirëkuptim dhe shumica prej tyre veçse kanë premtuar që të jenë pjesë e Festivalit në vitin e ardhshëm.

“Nëse kemi parasysh që është fjala për autorë shumë të kërkuar nga festivalet, ata duhet rezervuar me kohë, por gjithashtu nuk mund të angazhohen tepër herët, sepse agjenda e tyre duhet përshtatur kërkesave editoriale të ndryshme. Rrjedhimisht, ky gjest i tyre pasqyron një solidaritet të veçantë dhe një simpati të mirëfilltë për përpëlitjet tona për të promovuar artin e romanit grafik mes publikut kosovar”, ka thënë ai.

Jakupi ka treguar se janë duke menduar për aktivitete plotësuese që do t’ia lehtësojnë publikut pritjen deri vitin e ardhshëm. Mirëpo ka shtuar se mbajtja e këtij edicioni në mënyrë virtuale nuk është parë si opsion.

“Vetë festivalin si të tillë është e pamundur ta kthejmë në ‘shkëmbim virtual’, sepse thelbi i iniciativës sonë është takimi real mes artistëve botërorë dhe publikut e aspiruesve artistikë kosovarë. Sidoqoftë, jemi duke konsideruar mundësi të ndryshme të ngjarjeve zëvendësuese, me të cilat do t’ia lehtësonim pritjen publikut tonë. Preferoj të flas për to në momentin kur do të kemi propozime konkrete”, ka thënë Jakupi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.