Kulturë

“Eho” - premierë televizive në KTV

E diel - 20:30

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kohavisionin, të dielën, prej orës 20:30, sjellin premierën televizive të filmit “Eho”, në regji të Dren Zherkës. Në rolet kryesore në film shfaqen aktori kosovar Selman Jusufi dhe aktorja gjermane Klara Höfels.

Vdekja në një aksident trafiku, e emigrantit ilegal kosovar në Gjermani, shërben si pikënisje mbi të cilën shtjellohet një histori shumë më e gjerë sesa kaq. Aksidenti fatal bëhet shkak për t’i ndërlidhur dy rrëfime. Ismeti, ish-gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës (që luhet nga Selman Jusufi), dhe gjermania Hana, bashkëmoshatare e tij (Klara Höfels) janë protagonistë të një filmi që për bazë e ka vetminë njerëzore. Fatet e dy prindërve, që as nuk njihen e as nuk flasin të njëjtën gjuhë, kryqëzohen nëpërmjet fatkeqësisë.

“Eho”, u dha premierë kombëtare në korrik të vitit 2017, në “PriFilmFest”. Produksioni i vitit 2016 është prezantuar në një numër të konsiderueshëm festivalesh si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Mumbai, Festivali Evropian i Filmit të Pavarur ECO dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durban. Në Festivalin Botëror të Filmit në Montreal, filmi qe shpërblyer me çmimin “Zeniti i Argjendtë”. “Eho” është filmi i dytë i cili vjen si premierë televizive në KTV në kuadër të transmetimeve të filmave vendorë në televizion në bashkëpunim me QKK-në.