Kulturë

“Suus” e 2012-s rikthehet me ritëm në kohë pandemie

“Suus” e 2012-s rikthehet me ritëm në kohë pandemie

“Një baladë thellësisht emocionuese” ishte përshkrimi që i ishte bërë nga shumë kritikë, edhe botërorë, këngës “Suus” kënduar nga Rona Nishliu. Por një version i ri i realizuar nga kompozitori i saj Florent Boshnjaku e dërgon atë larg baladës, tek e vë në një zhanër krejt tjetër. Vjen me plot ritëm pikërisht në kohë pandemie. Kushtet e karantinës janë ato që e kanë rikthyer këngën në këtë version, e që baladën e njohur të 2012-s tash e fut edhe në zhanrin e “deep house”.

Këngëtaren Rona Nishliu ky version e ka gjetur duke finalizuar videon e coverit të këngës së vjetër rome “Kasmangjesa tu Naxhije”. U publikua disa orë pas remiksit të “Suus”, e cila u bë e njohur për publikun pasi që u shpall kënga fituese e edicionit të 50-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar dhe bëri që Nishliu në vitin 2012 ta përfaqësojë Shqipërinë në garën më të madhe të muzikës në Evropë. Nishliu u bë këngëtarja e parë nga Kosova, e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovizion”. Zuri vendin e pestë në garën evropiane të këngës, që është arritja më e madhe e shtetit shqiptar në këtë garë, tash e 16 vjet, prejse debutoi më 2004. Sivjet, për të 17-n herë, Shqipërinë do ta përfaqësonte Arilena Ara me “Fall From the Sky”. Për shkak të pandemisë, edicioni i 65-të i ngjarjes së madhe, e paraparë të mbahej në maj, në Rotterdam të Holandës, është anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.