Kulturë

Fëmijët nga Kosova votojnë online për “EFA Young Audience Award”

Fëmijët nga Kosova votojnë online për “EFA Young Audience Award”

Të dielën e 26 prillit dhjetëra fëmijë të moshës 12-14 vjeç nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe përtej, do të kenë mundësinë të votojnë online për njërin nga tre filmat e nominuar sivjet për çmimin “EFA Young Audience Award”. Këtë do ta kenë edhe fëmijët nga Kosova, pasi që festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” po vazhdon për të shtatin vit me radhë bashkëpunimin me Akademinë Evropiane të Filmit (European Film Academy) për përzgjedhjen e fituesit të çmimit “EFA Young Audience Award”. Viteve të kaluara dhjetëra fëmijë mblidheshin në “DokuKino” dhe pasi shikonin filmat garues e diskutonin për ta, votonin për të preferuarin e tyre. Këtë vit “European Film Academy” për shkak të krizës me koronavirus ka marrë vendim për të votuar online.

Organizata “European Film Academy” është një grup filmbërësish evropianë që kanë për qëllim promovimin e filmave nga Kontinenti i Vjetër, por edhe nxitjen e interesimit të filmbërësve. Po ashtu, “European Film Academy” organizon ngjarjen e përvitshme “European Film Awards” që mbahet zakonisht në dhjetor, ku ndahen çmime në 19 kategori të ndryshme. Pjesë e garës zyrtare është edhe kategoria “EFA Young Audience Award 2020”, fituesi i së cilës shpallet më herët, në muajin prill.