Kulturë

Pikturat e errëta çuditërisht frymëzuese të Léon Spilliaertit

Veprat e frikshme e enigmatike të Léon Spilliaertit banojnë botën e përtejshme mes njëmendësisë dhe ëndrrës. Ishte një mbretëri që e rëvijëzonte gjatë shëtitjeve që bënte nën dritën e hënës për të qetësuar pagjumësinë e jorehatinë e tij. Në pikë të natës ai do të mejtonte mbi çështje filozofike që e brengosnin: krijimi i botës, marrëdhëniet mes gjinive dhe fati përfundimtar i njeriut. Mendimet e tij do të shndërroheshin në portretime fantazmash të vendlindjes së tij, Ostend, natyra të vdekura ku sendet kanë një jetë misterioze të tyre, dhe një varg vetë-portretesh në të cilat artisti belg qëmtoi thellë në shpirtin e vet.

Mbi izolimin dhe vetminë

“Kishte diçka mbi izolimin dhe vetminë që qartësisht e tërhiqnin. Ai dukej ta shijonte kreativitetin që i zgjonin nga brenda”, thotë Adrian Locke, bashkëkurator i ekspozitës në “Academy Royal” në Londër, që i solli për herë të parë veprat e Spilliaertit para audiencave britanike (galeria është përkohësisht e mbyllur). Ostendi natën apo në mjegullën e brishtë të agimeve do të jepte frymëzimin e përkryer.

Nga fanari deri te Galeritë Mbretërore, ai do të shëtiste përgjatë bregut të detit, i cili gjatë mbrëmjeve zbrazej nga prania njerëzore. Kërkimi i tij ekzistencial do të harlisej nga angazhimi i tij i thellë me filozofinë gjermane dhe letërsinë simboliste.

“Si Nietzche ai ndjen që kur ecën i patrazuar nga jeta normale mendja e tij bëhet më e kthjellët dhe mendimet më të dëlira, veçmas në dimër kur Ostendi ishte aq i vetmuar”, thotë ekspertja e Spilliaertit, Anne Adriaens-Pannier, që ka qenë bashkëkuratore e ekspozitës.

Leximet e poetëve dhe dramaturgëve simbolistë bënë që ai të besonte se ëndrra dhe emocioni mund të pasqyroheshin në peizazhe. Ostend kështu do të mishëronte artistin në kohëra të melankolisë. Në një varg kompozimesh frikshëm boshe që i kishte bërë në fillim, ai krijoi perspektiva të jashtëzakonshme që paraprinë De Chiricon. Shtigjet nxitojnë në distancë drejt destinimeve në dukje të zbrazëta. Gjetiu, skenat e natës kanë thuajse një cilësi abstrakte, në të cilat drita del si nga hiçi dhe ndërtesat marrin kërshërueshëm cilësi antropomorfe.

Deti është një prani e vazhdueshme, rrjedha e tij e pareshtur pasqyron trazimin e tij të brendshëm.

“Kjo është arsyeja pse unë mendoj që ai pëlqen të përdorë kaq shumë ngjyrën e zezë – është një medium ku ke nevojë për shumë ujë”, thotë Adriaens-Pannier. Ajo sheh një lidhje të pakëputur mes të zezës, trazimit të detit dhe gjendjes së turbulluar mendore të Spilliaertit.

Por pavarësisht errësirës së zezë dhe cilësisë çuditërisht të butë, do të ishte gabim sikur t’i shihnim këto vepra si krejtësisht të zhveshura. Spilliaerti mund të jetë pllakosur nga dyshimi e pasiguria dhe të ishte i frustruar nga mungesa e vlerësimit të tij kritik, por ai asnjëherë nuk i vuri në pikëpyetje vlerat e brendshme të artit të tij. Në të vërtetë, paleta e tij e kufizuar kishte një efekt përsiatës, që mund të jetë çuditërisht qetësues e madje edhe frymëzues.