Aktorja dhe fotografja e parë nga qyteti i Gjakovës, Igballe Zherka – Gorani, ka vdekur të enjten.
E lindur në vitin 1932 në një familje përparimtare, ajo që në moshë të re u fokusua në aktivitete të shumta kulturore në Gjakovë.
Karriera e saj në teatër ia mundësoi të jetë pjesë e një prej projekteve më të mëdha teatrore në Gjakovë. Ajo ishte pjesë e shfaqjes “Triumfi i lirisë”, ku kishte qenë e vetmja grua, transmeton KOHA.
Që nga mosha 17-vjeçare e filloi rrugëtimin me fotografinë. Ibgalle Zherka Gorani në emisionin “PRO X” kishte treguar disa teknika të fotografisë që praktikonin në atë kohë.
Përveç përkushtimit artistik, ajo dha një kontribut të madh edhe në arsim, ku i kaloi më shumë se tri dekada.
Aktorja u varros sot në Prizren. Familjarët kanë njoftuar se varrimi i saj u bë në prani të rrethit të ngushtë për shkak të pandemisë.