Kulturë

Qenia politike shqiptare

Qenia politike shqiptare

Një arkeologji në mendësinë politike të shqiptarëve

Më 1955, një politikan shqiptar me titullin ‘bej’ dhe një baroneshë gjermane me titullin ‘von’, nisin të shkruajnë së bashku në Romë një studim mbi historinë e Shqipërisë gjatë sundimit osman. Ata njiheshin prej gjysmë shekulli, që nga viti 1905, kur për shkak të problemeve mentale, Marie Amelie von Godin ndërmorri një udhëtim me vëllaun e saj Reinhard, nëpër Greqi dhe Perandori Osmane, gjatë të cilit u njoh me Eqrem Bej Vlorën, atë kohë i sapo doktoruar për drejtësi në Stamboll. Që nga viti 1908, kur Maria Amalia – siç shkruhej ndonjëherë – e vizitoi Eqremin në Shqipëri, lidhja e tyre u shndërrua në një miqësi të mbyllur. Teksa kjo shkrimtare gjermane – që me përvojën e saj në Shqipëri qe kthyer në një albanologe që e njihte shumë mirë botën shqiptare – shtypte tastet e makinës së shkrimit në Romë, ajo dhe Eqremi tashmë po bashkëjetonin ditët e fundit të dashurisë së tyre të pakurorëzuar. Pinjoll i familjes Vlora, ndër më të pasurat nga oxhaqet shqiptare – siç quheshin familjet aristokrate shqiptare të periudhës së vonë osmane, – Eqremi qe edukuar fillimisht me mësues privatë në pallatet e Vlorajve, para se të mbaronte studimet liceale dhe universitare në Akademinë Orinetale Perandorake Theresianum në Vjenë. Sekretar në Ministrinë e Jashtme Osmane, komandant i batalionit të Vlorës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, zëvendsëpresident i Pleqërisë, sekretar dhe përkthyes i Princ Wilhelm Wied-it, deputet i Vlorës në Paralamentin Shqiptar, diplomat i ngarkuar në Londër dhe Athinë, sekretar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare, ministër për Kosovën në vitet 1942-43 në qeverinë koloboracioniste të Mustafa Krujës, Eqrem Bej Vlora gjendej në Romë si emigrant politik, ku kishte mërguar pas ardhjes së komunistëve në pushtet në Shqipëri.