“Corona Diary” gjen shpresën në Prishtinën e heshtur Foto: Koha

“Corona Diary” gjen shpresën në Prishtinën e heshtur

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 23 March 2020 08:18

Kryeqyteti ka rënë në qetësi, e regjisori Leart Rama po bën atë që di më së miri. Përmes kamerës së tij po kap shpirtin e Prishtinës. Situatën të cilën e dokumenton nëpërmjet video-ditarit “Corona Diary” nuk është aspak e zakonshme, ashtu sikurse edhe gjendja. Në njërën anë vendi ka marrë disa masa për të ndaluar përhapjen e virusit COVID-19, raporton KOHA.

Në anën tjetër, në kohën e pandemisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë në të cilën është në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen. E me gjithë këtë situatë, videoja 2minutëshe e 36 sekondash që Rama e ka realizuar të premten, e katërta me radhë në kuadër të serisë “Corona Diary”, ka si mesazh shpresën.

“Edhe një ditë me diell, qyteti ende i qetë, rrugëve s’ka shumë njerëz. Veç marketet (që ende s’kanë miell), barnatoret, dy vende me marrë kafe në dorë edhe një berberhane janë të hapura në qytet. Gjithçka është e qetë deri në orën 20:00. Në këtë orë, në ballkonet e Prishtinës dëgjohen tingujt që dalin prej krismave të enëve.

Mundesh me i mbyllë sytë edhe me ndje euforinë që ta jep ndjenja e bashkimit. Është e bukur, shpresëdhënëse edhe po vazhdon, s’po ndalet”, është përshkrimi që i është bërë videos, e cila njëlloj si tri të parat është publikuar në rrjetet sociale të studios filmike “Katarzë Film”, që udhëhiqet nga regjisori 22-vjeçar.

Leart Rama, i cili sa herë që del në terren kujdeset që të mbrohet për vete dhe të mbrojë të tjerët, e planifikon një natë më parë se çfarë do të xhirojë. Me kujdes e përzgjedh lokacionin e kohën, anashkalon vendet ku mund të ketë shumë njerëz.

“Gjatë një dite ne fokusohemi në një lokacion me fushështrirje të caktuar duke u munduar që secilën ditë të dokumentojmë gjëra të ndryshme që neve na i kap syri. Ne si ‘Katarzë Films’ jemi munduar që t’u ikim shtjellimeve për të folur për virusin konkretisht, sepse mendojmë që nuk jemi të duhurit që të flasim për këtë”, ka thënë ai.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme