Kulturë

Jorganxhinjtë e traditës që po shuhet

Foto: KOHA

Zeja e jorganxhinjve rrënjët i ka në Gjakovë. Jorganxhinjtë e vjetër e kujtojnë kohën kur pothuajse nga e gjithë Kosova kanë shkuar në këtë qytet për të blerë jorganë e dyshekë. Veçmas në kohë dasmash.

Por sot, familja Saraçini është mbase ndër të vetmet që punon jorganë në stilin e vjetër të punës. Ramizi, tash 77-vjeçar, që është brezi i dytë në familje që merret me këtë punë, e ka bartur si trashëgimi këtë zeje te djemtë e vajzat e tij. Tash thotë se punon disa punë të lehta. Por, me pasardhësit e tij është krenar, ani pse e thotë se kjo zeje nuk e ka gjatë.

“Por kemi jetuar të pavarur”, thotë me krenari ai.

Jo shumë larg dyqanit të tij, në Çarshinë e Madhe në Gjakovë është edhe dyqani i Idriz Kusarit, një tjetër jorganxhi i moçëm që ka kohë që e ka lënë mënyrën e vjetër të punës. Por, megjithatë, shet jorganë që prodhohen në mënyrë industriale. Ajo që i ka mbetur nga e kaluara është nostalgjia e krenaria për të shkuarën.

Mbi 90 për qind punëdore

Duke treguar se nuk është aspak e lehtë, e nis bisedën për punën e tij jorganxhiu Ramiz Saraçini. Thotë se procedura për shprishjen e pambukut e qepjen e një jorgani është goxha e mundimshme.

“Vetëm 5 për qind qepet me makina. 95 për qind e qepjes bëhet me dorë”, thotë Saraçini, sa për të dëshmuar vështirësinë në punën për prodhimin e një jorgani.

Megjithatë, ai është krenar me pasurinë e katalogut të tij.

“Kam rreth 200 dizajne të ndryshme të qepjes. Lloj-lloj lulesh e formash”, thotë Saraçini.

Ai tregon se bën edhe kombinime të ndryshme varësisht prej kërkesës së klientëve.

“Jemi shërbëtorë të blerësve, e kur ata janë të kënaqur ne jemi edhe më të kënaqur”, thotë ai.

E familja Saraçini, siç tregon kryeplaku, nuk e ka ndryshuar sistemin e punës nga ajo e moçmja.

“Është i njëjti model i punës. Kanë ndryshuar e janë shtuar modelet e dizajnet, por sistemi i punës ka mbetur i njëjti”, thotë ai.

E sa u përket modeleve ai veçon tri: atë me ar, atë me rruaza dhe tjetrin me xhevahire shumëngjyrëshe.

“Duhet me shku sipas kohës”, thotë 77-vjeçari që insiston se mundohet t’u përshtatet në masën më të madhe kërkesave të klientëve.

Teksa flet për të kaluarën, Saraçini tregon se blerës dikur kanë qenë të gjithë, nga fshatrat e qytetet, kur kanë pasur ceremoni të ndryshme, si dasma, syneti, apo ndonjë si këto. Por, ka qenë e shprehur edhe si dhuratë.

“Njerëzit ia kanë bërë bakshish njëri – tjetrit një jorgan”, thotë Saraçini. “Kanë blerë fshatrat edhe për dhoma të mysafirëve. E tash kjo ka ra, se odat thuajse janë heq prej funksionit”, thotë më tej.

Në fakt, ai vëren një rënie të interesimit për jorganët punëdore. Mbase për faktin se janë më të shtrenjtë në krahasim me këta që i prodhon industria.

“Më shumë po punoj me porosi. Ka raste që i kemi të gatshëm, por dëshirojnë të freskët, ose ndonjë kombinim në dizajn, e ua bëjmë tjetër pa problem”, thotë Saraçini, teksa me dhimbje pohon se po zhduket si traditë.

“Faktikisht po shkon duke u humbur si traditë. Njerëzit po shkojnë kah ajo që është më e lirë, e më e shpejtë. Ndoshta për shkak se ekonomikisht janë më mirë, fshatrat po vazhdojnë të blejnë ende këso jorganë”, thotë Saraçini.

E thotë edhe një tjetër gjë.

“Kur dikush e blen një jorgan timin, punëdore, shkojnë edhe 20 a 30 vjet e nuk ka nevojë më për jorgan. Se janë shumë më të qëndrueshëm, përveçqë janë edhe më të ngrohtë”, thotë Saraçini.

Ndonëse vetë bën më shumë, siç i quan ai, punë të lehtë e ecejake rreth dyqanit, Ramiz Saraçini është i lumtur që zejen e jorganpunuesit e kanë edhe fëmijët e tij.

“Nuk kemi qenë të varur kurrë nga askush. Kemi bërë një jetë mesatare”, thotë ai dhe shton se çdo zanat a punë tjetër duhet ta duash teksa e bën.

E hëna e shitjeve

Idriz Kusari (75) është jorganxhiu tjetër i gjeneratës së dytë të jorganxhinjve. Në fakt, ai rekomandon që intervista të bëhet vetëm me Ramiz Saraçinin, meqë punon ende jorganët me dorë. Por, megjithatë, ndalet për t’i kujtuar ngjarjet e një kohe kur Gjakova ishte qendër e jorganëve, arkave, por edhe e tregtisë në përgjithësi.

“Këtë zanat e ka punu baba (Asllan Kusari) përpara, mandej e kemi marrë ne. Ai e ka marrë në një, siç i kanë thënë atëherë, kolektiv. Pas Luftës së Dytë Botore, në vitin 1945-46, kanë funksionuar këso kolektivash me nga 10-15 veta që e kanë blerë materialin, e kanë përpunuar dhe e kanë shitur. E mandej e kanë ndarë fitimin”, thotë ai.

E Asllan Kusari kishte punuar deri në moshën e pensionimit, diku në vitet e ’70-a, për t’ua lënë zejen pasardhësve të tij.

“Prej vitit 1951 e kemi çelë dyqanin. Unë mund të them se jam rritur në këtë zanat. Prejse kam qenë fëmijë, 6-7 vjet kur i kom pas, jam angazhu me disa punë të lehta”, thotë ai.

Kusari tregon se basmat i kanë marrë edhe në Slloveni e në Kroaci, e dikur kur qe hapur fabrika “Emin Duraku”, i ka furnizuar me pambuk edhe prodhuesit lokalë.

“Fytyrat e jorganëve kemi vazhdu me i marrë në Kroaci e Slloveni”, thotë ai.

Kusari, teksa tregon për sistemin e punës, thotë se kishin makinat që shprishnin pambukun, e në ndërkohë i qepnin fytyrat e jorganit. Aq shumë kanë pasur punë, saqë kanë pasur edhe punëtore të angazhuara.

“I kemi pas edhe disa vajza e gra që ua çonim nëpër shtëpi me i qep me dorë fytyrat e jorganëve. Elakqi u kemi thënë, gra e vajza që kanë punu nga shtëpitë e tyre. I çojshim me krah, e dikur më vonë me kerre”, thotë Kusari.

Ai tregon se e gjithë familja zgjohej herët për të punuar.

“Ka qenë zanat i vështirë. Pambuku ka pas pluhur. U mbështjellshim që mos me na hy pluhuri”, thotë ai.

E kur pyetet nëse ka nostalgji për atë kohë, Kusari përgjigjet me një ofshamë pohuese me shkronjën “e” dhe një kallaballëk “i-ja” mbrapa saj.

“Eiiiii... të gjithë kemi hyrë në zanat. Me vajza e me djem, prej moshës 16-17-vjeçare kemi qenë këtu zanatlinj. Atëherë ka qenë edhe fitimi i mirë. Ka qenë edhe njëfarë lezeti i punës. Më ka ndodh që vetëm në shkollë dhe në dugojë të punoj”, thotë Kusari.

E, përveç fitimit të mirë, edhe shitja ka qenë e garantuar.

“Çka të prodhojshim, shitshim. Veçmas të hënave, që ka qenë ditë pazari, kemi shitur shumë”, kujton Kusari.

Edhe Kusari, sikurse Saraçini, thotë se blerja e jorganëve ka qenë pjesë e krijimit të familjeve të reja.

“Përpara, fshatarët i kanë blerë nga 3-4 jorganë, 3-4 dyshekë, kur janë martuar. Ajo shtëpi e re që është bërë nuk ka blerë më, me aq është dashur ta kalojë jetën. Nuk i ka ndihmu më askush. Kjo ka qenë njëfarë pasurie që e ka krijuar një familje e re”, thotë Kusari që vazhdon tutje shpjegimin.

“Atëherë miku i ka kërku mikut njëfarë shume, ose para ose material për vajzën e dhënë. Çifti e kanë bërë njëfarë sermaje, njëfarë kapitali. Miku që ka dhënë vajzë e ka bërë listën me atë se çka duhet me pas familja e burrit. E ajo gru, me atë material i ka bërë xhemperat e çorapet, por edhe janat e qilimat”, thotë më tej ai, duke treguar se jorganët kanë qenë pjesë e këtij kapitali.

Kusari insiston se Gjakova përpara i ka pasur jorganët më të mirë.

“Prej gjithë Kosovës kanë ardhë e kanë ble këtu. Nuk ka qenë vetëm puna e jorganëve, por edhe e arkave dhe e gjërave të tjera të nevojshme për pajën e nuses”, thotë ai.

E modernizimi, sipas tij, ua ka humbur rëndësinë jorganëve punëdore.

“Kemi ardhë në ditën e sotit kur nuk ka pambuk hiç, veç me këso lio që i bëjnë. Me të mbulu me të duket si një letër me ta vendos sipër. A jorgani i atëherit edhe të ka mbajt nxehtë, edhe ka qëndru me nga 15 a 20 vjet”, thotë ai. “Tash jemi t’u imitu diçka, por nuk është njësoj”, përfundon ai.