Kulturë

Kuratorja e artit autentik si nxitës i të menduarit

Një shall i verdhë i hedhur gjithë hijeshi mbi bluzën dhe fundin e zi nuk ishte e vetmja shenjë e përkorësisë së saj. Edhe e folura me zë paksa të dridhur sikur shëmbëllente modestinë shembullore të Manya Gramschit.

Shkas për të ardhur për herë të parë në Prishtinë u bë ekspozita e skulptorit, Burim Gashi, “Heshtje e rëndë” e hapur më dy mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Si kuratore e ekspozitës që përpunonte artistikisht fatin e të zhdukurve dhe grave të përdhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, artistja nga Hamburgu ishte befasuar për të mirë nga mirësia që ndeshi te secili që e mirëpriti, transmeton KOHA. 

“I gjithë qyteti ka këso atmosfere vibrante”, thotë Gramschi, duke evokuar ato pak ditë qëndrimi në Kosovë. Ajo nuk ishte kuratore e çfarëdo subjekti. Përtej instalacioneve e skulpturave të metalta të artistit prishtinas ndryhej një histori lemeritëse. E tillë që në qendra evropiane të artit bashkëkohor mbase do të pritej me njëfarë mosbesimi. Jo aso nga cinizmi! Por nga absurdi që ngjarje të tilla lebetitëse ngjan hiç më pak se dy dekada më parë kaq pranë Perëndimit. Gramschi shprehet se kur kishte nisur të qëmtonte mbi luftën e Kosovës, ajo kishte shtanguar nga brutaliteti i pashembullt i treguar ndaj shqiptarëve.

“Mendoj se veçanërisht sot është fort e rëndësishme të vihen në pah këto krime, për shkak se të tilla vazhdojnë të ngjajnë edhe në pjesë të tjera të botës. Nuk është një rrëfim vetëm i së kaluarës”, thotë ajo për ekspozitën e cila tani mund të vizitohet edhe virtualisht në 3D për shkak të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Në fjalën e vet para të pranishmëve, para më shumë se dy jave, Gramschi kishte thënë se gjuha vizuale e ekspozitës i drejtohej gjithsecilit e jo vetëm shoqërisë kosovare. Sipas fjalëve të saj, me elementet e ndërthurura njerëzore dhe natyrore, secili mund të përjetonte një lidhje të drejtpërdrejtë me luftën edhe pa e përjetuar atë.

Ngritja e pikëpyetjeve

Jo rrallë tragjeditë e thella njerëzore priren të trajtohen në mënyrë dokumentare si: filma dokumentarë, ekspozita me fotografi origjinale, muze artefaktesh e të tjera, ndërkohë që kontemplacioni artistik është disi më i rrallë.

Mirëpo, për njohësen e artit nga Hamburgu, gjithnjë ka pasur artistë që kanë përsiatur mbi luftën nëpërmjet artit - disa duke proceduar me përvojat e tyre individuale, e të tjerë duke shëmbëllyer memorien kolektive.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.