Projekti për shumëkatëshen në afërsi të monumenteve në Prizren përfundon në gjykatë

Projekti për shumëkatëshen në afërsi të monumenteve në Prizren përfundon në gjykatë

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 25 February 2020 22:42

Projekti për një shumëkatëshe afër monumenteve në Prizren ka nxjerrë në pah ndasitë institucionale në raport me trashëgiminë kulturore.

Nëse do të ndërtohet apo jo objekti pesëkatësh afër dy monumenteve, do të vendosë gjykata. Përplasja midis Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit sa u përket planeve për një ndërtesë të re në ish-fabrikën e barnave “Farmakos” ka përfunduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Institucioni lokal bashkë me Ministrinë e Kulturës nuk kishin lëshuar pëlqim për ndërtim në zonën e mbrojtur, por Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit kishte shfuqizuar vendimin e Komunës duke i dhënë të drejtë investitorit.

Për këtë rast i kishte dalë punë edhe Ministrisë së Kulturës me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, e cila e shfuqizoi vendimin e nënshkruar nga drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, që e lejonte ndërtimin.

Investitori kishte bërë ankesë ndaj këtij vendimi të Drejtorisë te Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit dhe më 10 janar ajo që asokohe ishte Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kishte shpallur të paligjshëm vendimin e Komunës së Prizrenit që ndalonte ndërtimin.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren menjëherë pas vendimit të IKMM-së i kishte kërkuar Ministrisë së Kulturës që të merren masa, raporton “Express”-i i KTV-së.

Drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha, ka thënë se praktika e shfuqizimit të vendimeve të Komunës së Prizrenit ka ndodhur edhe në të kaluarën e fatkeqësisht po ndodh edhe tash.

“Ne si QRTK, kur pajisim palët me pëlqim jemi të bindur se kemi respektuar ligjin. Por edhe në rastet kur refuzojmë kërkesat e investitorëve për ndërtim qëndrojmë prapa tyre me gjithë fuqinë e ligjit dhe eksperiencën që kanë zyrtarët tanë”, ka thënë ai. Sipas tij, veprimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit nuk janë të dobishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit jugor. Fatkeqësisht kemi tendencë të shtuar të investitorëve për t’i degraduar vlerat e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.

Kryesuesja e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, Artnet Haskuka, ka thënë se nuk është çuditur me mendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit pasi, sipas saj, ky institucion merr vendime të njëanshme për Qendrën Historike apo edhe për zonën e dytë të mbrojtur pa u konsultuar me MKRS-në.

“Kemi pasur edhe më herët raste të tilla. Nuk është një praktikë që duhet çmuar e përcjellë edhe në të ardhmen. Ministria e Ambientit duhet të konsultojë edhe nivelin lokal për çdo problem”, ka thënë ajo.

KOHA, të hënën, i ka dërguar pyetje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Krejt afër ish-Farmakosit në ditën e 8-të të shkurtit është përfshirë nga zjarri objekti i viteve 1923-1929, që ka shërbyer si Stacioni Bakteriologjik, e cila më vonë është quajtur Enti i Shëndetit Popullor. Ndërtesa është ndërtuar nga fondi i dëmshpërblimit ushtarak të Austro-Hungarisë dhe njihej si “Ndërtesa Austriake”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme