Kulturë

125-vjetori i shfaqjes së filmit

Më 1895, vëllezërit Lumiere organizuan një nga shfaqjet e para publike të filmit. Shikuesit thjesht nuk mund ta besonin magjinë që lëvizte para syve të tyre. Sot fakti, trillimi dhe debati, vazhdojnë të sillen rreth kinemasë.

Pyetja se kush e shpiku filmin është diçka e diskutueshme ndër epoka. A ishin vërtetë vëllezërit francezë Auguste dhe Louis Lumiere, të cilët më 13 shkurt 1895 patentuan kinematografinë duke shfaqur imazhe që lëviznin? Apo si shpikës duhet konsideruar amerikani Thomas Edison me thjerrëzën e tij zmadhuese? Po çfarë të bëhet me vëllezërit gjermanë Max dhe Emil Skladanowsky, të cilët shfaqën filma në Berlin në projektuesin e tyre të filmit, në të njëjtën kohë si vëllezërit e famshëm francezë? Ka disa pionierë të tjerë të kinemasë amerikane dhe britanike që gjithashtu e meritojnë të quhen shpikës.

Në fund të ditës, me shumë mundësi çështja është se si përkufizohet ardhja e filmit: A mund të konsiderohet një zhvillim teknologjik si pikënisje, apo në vend të kësaj duhet të jetë hera e parë që një grup njerëzish ulen para një ekrani gjersa filmi shfaqet para tyre?

Dhe të mos harrojmë për librat shfletues, që në mesin e shekullit të 19-të përdorën imazhe të vizatuara në fleta për të krijuar iluzionin e lëvizjes gjersa shikuesi i shfletonte me shpejtësi ato. A mund të konsiderohet edhe kjo si fillim i filmave modernë?

Kur thellohemi në vitet e para të kinematografisë, njeriu has në një mori shpikësish dhe teknikësh, vendesh dhe laboratorësh në të cilët u zhvilluan eksperimente që kishin shumë prova dhe gabime. Një gjë mbetet e sigurt: Në dekadën e fundit të shekullit XIX fotografia po zhdukej, dhe prej saj, e re siç ishte, lindi filmi... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)