Kulturë

“Prishtina Big Band” për një kapitull të ri në skenën muzikore vendore

Prishtinë, 19 shkurt – Goditjet në bateri nga Nesim Maxhuni në ritëm me basistin Fatlind Ferati, tingujt në piano nga Ilir Bajri, e ato në kitarë nga Visar Kuçi, vijnë harmonishëm dhe kështu krijohet seksioni ritmik i “Prishtina Big Band”.

Brenda disa sekondave shtohen edhe tingujt e alt-saksofonit nga Dukagjin Muhaxheri e Kushtrim Rexhepit, Arian Randobrava, Dardan Gjinolli në tenor-saksofon e Ermal Rodiqi (bariton-saksofon) tek dëgjohet trumbeta përmes lojës së Avni Krasniqit, Ardit Pirës, Krenare Zariqit e Anda Krelani. Tromboni e plotëson krejt këtë kur luajnë Betim Krasniqi, Rejhan Rexha, Donat Krasniqi e Fatbardh Dubovci.

Një përbërjeje të tillë instrumentistësh publiku i referohet si “Big Band”. Dikush u thotë edhe si një grup i madh muzikantësh jazi, e shumë lehtë mund t’ju referohet edhe si një orkestër jazzi. Formacione të tilla u shfaqën në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar kryesisht në New Orleans të ShBA-së, ani pse epoka e artë e tyre ishte në mes të viteve 1935 e 1950. Atu ky vepronin, bëheshin tok muzikantët më të mirë.

E “Prishtina Big Band” ka bërë bashkë ata të cilët janë të patejkalueshëm kur përmendet jazz-skena vendore, por jo vetëm. E kanë dëshmuar këtë edhe në koncertin debutues të së hënës mbrëma në “Kino Armata”. Kanë zgjedhur edhe datën e veçantë, 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që të nisin rrugëtimin për një kapitull të ri në skenën vendore.

Të dirigjuar me mjeshtri nga jazz-kitaristi Armend Xhaferi, në repertor kanë qenë vepra pa të cilat ky zhanër s’mund të paramendohet. Sfidë që të sjellin "Caravan” të Juan Tizol e Duke Ellington, të aranzhuar nga John Wasson, e cila qysh më 1936 u bë vepër e dalluar e jazzit-standard. Njihet për kërkesat e saj, që orkestra e re i ka kaluar me lehtësi njashtu sikurse edhe “Cute” të Neal Heftit, “Begin the Beguine” të Cole Porter, “Moon River” nga Henry Mancini. “If I Could” e Pat Metheny qe një kapërcim i theksuar në jazz bashkëkohor para rikthimit në rrënjë me “Seven Steps to Heaven” të Miles Davis. Finalja qe si një thirrje feste me “Sing Sing Sing” të 1936-s kompozuar nga Louis Prima, në të cilën frymorët kanë rolin kryesor në veprën me të cilën u shqua i madhi Benny Goodman.

Dirigjenti Xhaferi ka thënë se përmes këtyre veprave kanë sjellë një repertor të pasur të muzikës jazz.

“Kosova Brass Festival” përmbylli edicionin e katër përmes një fillimi të mbarë të “Prishtina Big Bendit”.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)