“Shtëpia e Pavarësisë…” s’i hap dyert as për 12-vjetor

“Shtëpia e Pavarësisë…” s’i hap dyert as për 12-vjetor

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 18 February 2020 08:30

Prishtinë, 18 shkurt – Kushdo që ka mësyrë të hënën muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” i është dashur të kthehej prapa. Në ditën më të rëndësishme në kalendarin e festave shtetërore në Kosovë, ky muze ka pasur të mbyllur derën për vizitorët e shumtë që kishin vërshuar rrugët e kryeqytetit.

Para shtëpisë njëkatëshe në rrugën “Enver Zymberi”, ku dikur kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më vonë edhe e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), nuk valëvitej asnjë flamur kombëtar apo shtetëror. Të hënën ekipi i gazetës ka vizituar tri herë radhazi Muzeun, por dera ka qenë e mbyllur, ndërkohë që para saj parkoheshin makinat e frekuentuesve të restorantit aty afër. E pavarësisht kësaj, një pllakë vazhdon të qëndrojë në murin e jashtëm të Muzeut, që thotë se orari i vizitave është nga ora 10:00 deri më 17:00 nga e hëna deri të shtunën.

Sipas nenit 21 të Statutit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” bashkë me kompleksin etnologjik “Emin Gjiku” konsiderohen si pjesë e MKK-së.

Por faqja e saj në “Facebook” nuk përmban asnjë njoftim të vetëm në gjuhën shqipe apo atë angleze për qëllimin e shtëpisë muzeale. Vjegëza lajmesh nga portale të ndryshme e sondazhe politike për LDK-në janë përmbajtja e vetme në faqen e këtij institucioni kulturor.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se deri në muajin dhjetor aty ka punuar një recepsionist pa kontratë.

“Ai këtë punë e kryente në mënyrë vullnetare. Muzeu ka pasur probleme me një renovim të bërë disa vite më parë”, ka thënë Leci nëpërmjet telefonit.

Ai ka bërë me dije se MKK-ja ka bërë kërkesë që, në kuadër të anekseve të institucionit që ai drejton, të rinovohet edhe ky muze.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme