Kulturë

“Onufri Remade” ringjallet në Prishtinë si revoltë e dyfishtë

“Onufri Remade” ringjallet në Prishtinë si revoltë e dyfishtë

Prishtinë, 14 shkurt – Hapësira para hyrjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës është shndërruar në “varreza”.

Janë varre që notojnë mbi ujë. Sidomos kur fryn era, gurët e varreve të improvizuara nga artisi Ergys Krisiko lëvizin goxha shumë. Janë të vendosur mbi ujin e një pishine që është ndërtuar kastile për instalacionin. “Poolside Party” mban titullin vepra që “uron” mirëseardhje në ekspozitën “Onufri Rimade”, që është hapur të mërkurën mbrëma. Realisht kjo ekspozitë ishte “varrosur” në Tiranë, në dhjetor të vitit 2018. Asokohe me vendim të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozita tradicionale “Onufri” ishte mbyllur pas edicionit të 23-të. Një gjë e tillë kishte përplasur artistë me Galerinë si institucioni që organizonte e menaxhonte ekspozitën ndërkombëtare. Sipas autoriteteve në kryeqytetin shqiptar, ekspozita e kishte humbur vlerën.