Teatri pa buxhet të përcaktuar, synon të realizojë 11 premiera

Teatri pa buxhet të përcaktuar, synon të realizojë 11 premiera

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 13 February 2020 12:03

Prishtinë, 13 shkurt – Teatri Kombëtar i Kosovës synon që këtë vit të ketë gjashtë premiera në skenën e madhe. Dy prej tyre do të jenë bashkëprodhime e katër të tjera produksion i institucionit më të lartë teatror në vend. Për skenën e vogël janë miratuar pesë projekte.

Por ky plan i punës ende nuk ka një garanci financiare. Ministria e Kulturës ende nuk ka miratuar buxhetin për institucionet vartëse. Madje as Qeveria ende s’e ka bërë këtë me Projektligjin për buxhetin e këtij viti, i cili do duhej të miratohej edhe në Kuvendin e Kosovës. Pa përfunduar këto procedura, MKRS-ja nuk mund të ndajë buxhetin për institucionet vartëse. Teatri Kombëtar i Kosovës për vitin e kaluar kishte buxhet prej 400 mijë eurosh, kurse për sivjet janë kërkuar mbi 600 mijë. Premiera e parë planifikohet të jetë në muajin mars.

“Lir” me tekst të Edward Bond, shfaqje e miratuar në vitin 2019 që nuk është dhënë premierë, “Trilogji” me tekst të Beqir Musliut, “Shekspeare in love” (Shekspiri i dashuruar) e Lee Hall, janë katër shfaqjet që do të jenë prodhim i TKK-së në skenë të madhe. “Volksbuehne Berlin” dhe “Zgjimi i pranverës” do të jenë dy bashkëprodhime. Sipas elaboratit që ua ka bërë këtyre propozimeve për Këshillin Drejtues, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik, aktori Adrian Morina, “Lir” është një studim i fuqishëm, kompleks dhe i dhunshëm se si burrat dhe gratë e fuqishme janë shtypur tradicionalisht nga shoqëria që ata vetë krijuan. Shfaqja përqendrohet në Lirin, i cili për të kompensuar gabimet e jetës së tij përpiqet të ndryshojë shoqërinë.

Sa i përket “Trilogjisë” së Beqir Musliut, Morina ka shpjeguar se shfaqja do t’u përgjigjet pyetjeve: A ka ekzistuar shqiptari mitik, besnik e hyjnor, cila është ëndrra e shqiptarëve sot, çka u bë me idealistin e dikurshëm e cili është shqiptari sot?

“Shekspeare in love” e Lee Hall mëton të sjellë një shfaqje emocionuese të Lee Hall, të përshtatur nga skenari i Marc Norman dhe Tom Stoppard që dëshmon një version të asaj që mund të ketë qenë e vërtetë në jetën e dramaturgut me nam botëror, Willim Shakespeare.

TKK-ja synon që “Kthimi i Karl May” të realizohet bashkë me teatrin gjerman “Volksbuehne Berlin” . Pjesë e këtij bashkëpunimi do të jetë edhe qendra “Multimedia”.

E “Zgjimi i pranverës” me tekst të Frank Wedekind do të jetë bashkëprodhim i TKK-së me organizatën “Artpolis”.

E “La Rremë – Kaçurrelja” dramë e Arian Krasniqit dedikuar jetës dhe veprës së regjisorit, këngëtarit, artistit Muharrem Qena do të paraqesë krijimtarinë e një prej artistëve më me nam që ka pasur Kosova. Dramaturgu Krasniqi ka thënë se në fazat e mëvonshme mund të shpalosen detaje të veprës pasi aktualisht nuk mund të flasë më shumë sesa ajo që ka njoftuar TKK-ja.

“Pamje revolucioni” nga Tino Caspanello, nën regji të Kaltrim Balajt, “Stefani” nga Ag Apolloni me regji të Ben Apollonit, “Not I/Pa mua” nga Samuel Beckett nën regji të Shkurte Aliut dhe Alban Beqirajt, “Rinoqeronti” nga Eugene Ionesco, nën regji të Gëzim Hasanit e “Lejla dhe Ko” nga Cordelia Lynn, nën regji të Eki Rrahmanit, do të jenë shfaqjet e skenës së vogël për këtë vit.

Sa u përket vonesave në miratim të programit, Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së, ka thënë se sa i përket asaj që miratimi i programit është bërë pa e ditur buxhetin e saktë, Ademi ka thënë se gjithmonë veprohet kësisoj.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme