Shfaqja “Trenat” mbledh publikun gjilanas në ditën e katër të dramës “Talia e Flakës 2020”

Shfaqja “Trenat” mbledh publikun gjilanas në ditën e katër të dramës “Talia e Flakës 2020”

26 January 2020 10:48

Në ditën e katërt të Festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020", para artdashësve gjilanas është prezantuar shfaqja konkurruese "Trenat" e autorit Haqif Mulliqi, prodhim i Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Fabula e shfaqjes "Trenat" përmes lojës së aktorëve Shpëtim Selmani e Rozi Kryeziu ka shpërfaqur një moment jetësor të çiftit (Veni e Vini) në pritje për t'u arratisur, me qëllim të shpëtimit të identitetit e integritetit personal, ndonëse të dalë nga binarët e normalitetit të jetës, si pasojë e përjetimeve pas dramës së dhunimit e përdhunimit që u ka ndodhur.

Nga situatat dramatike të tensionuara në skenë herë-herë nënkuptohet që ata paraprakisht janë dakorduar të "harrojnë" atë gjëmë që u ka rënë mbi kokë.

Porse pesha e saj del të jetë më e rëndë seç është paramenduar se mund të përballohet, ndaj, me kalimin e kohës problemi bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u "harruar".

“Shih për këtë, shpërthimet e kohëpaskohshme të protagonistëve, veçmas shpërthimet instinktive të aktores Rozi Kryeziu, vijnë mese të natyrshme në skenë, ndërsa nxjerrin në pah natyrën e saj sublime femërore, e cila paralelisht me pasojat e tmerrit të përjetuar është e detyruar të përballet edhe me dhembjet e pritjes së dyfishtë: atë të lindjes së foshnjës dhe trenit "shpëtimtar", për të vazhduar ‘itinerarin’ e jetës në drejtim të panjohur. Përveç aktorëve Rozi Kryeziu e Shpëtim Selmani, në shfaqjen ’Trenat’, e cila është konceptuar si dramë e ironisë, pritjes e frikës, ka luajtur edhe Xhemajl Gllavica si instrumentist në sfond, ndërsa regjinë e ka punuar Zanë Duraku”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.

Shfaqja "Trenat" e shkruar nga autori i sa e sa veprave të inskenuara gjithandej, Haqif Mulliqi, është prezantuar para publikut gjilanas në natën e katërt konkurruese, ndërsa skenografinë e ka realizuar Mentor Berisha.

Kjo ishte shfaqja e dytë nga repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës në konkurrencë zyrtare në "Talia e Flakës 2020", pas asaj të regjisores Burbuqe Berisha e autor Milazim Krasniqi "Bryma e vdekjes".

Paraprakisht janë prezantuar edhe shfaqjet "Shkamat" e autorit dhe regjisorit Fadil Hysaj prodhim i "EtnoFest" dhe shfaqja "Graviteti" me autor Lirak Celaj e regjisor Florent Mehmeti nga teatri "Oda".

Në ditën e fundit të Festivalit të Dramës shqipe "Talia e Flakës 2020", të dielën në program është shfaqja nikoqire e Teatrit të Qytetit të Gjilanit "a. y. l. a. n", e autorit Jenton Neziraj në regji të Blerta Neziraj, me ç ‘rast bëhet edhe ndarja e çmimeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme