Doli nga shtypi libri “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm”, i Skënder Sylajt

Doli nga shtypi libri “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm”, i Skënder Sylajt

24 January 2020 16:42

Ka dalë nga shtypi libri shkencor me titull “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm”, me autor Skënder Sylaj, profesor universitar dhe ekspert i fushës së sigurisë e të mjedisit. Arsyen e angazhimit shumëvjeçar në trajtimin shumëdimensional të kësaj çështjeje, ai e ka arsyetuar veç tjerash me faktin se edukimi mjedisor është lënë në margjina, se është investuar pak në adresimin e faktorëve që kërcënojnë mjedisin e edhe më pak në mbrojtjen e tij. Ka argumentuar se si qasja më serioze shkencore dhe institucionale mund të ketë ndikim të madh në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

“Ruajtja e mjedisit jetësor nuk duhet të jetë vetëm disiplinë biologjike në kuadër të së cilës mësohet për ekologjinë-mjedisin, si dhe nuk duhet lënë anash dimensionet dhe aspektet e tjera, pedagogjike, sociologjike, etike, filozofike, juridike, ekonomike, shëndetësore. Ai nuk është problem i izoluar, por fushë për të cilën kanë interes shumë shkenca dhe e tërë shoqëria. Pritjet bazohen në zhvillimet e përgjithshme shoqërore, si dhe në përparësitë që sot i jepen përparimit mjedisor”, ka shkruar ai në njërin nga konkluzionet e studimit – librit.

Ndërsa, në parathënie ndër të tjera ai shkruan se si procesi i edukimit mjedisor e kapërcen teorinë dhe se si duhet të dalë jashtë institucioneve shkollore, meqë prek mënyrën individuale dhe kolektive të të vepruarit.

“Duke edukuar gjeneratat e reja për mbrojtjen e mjedisit jetësor do të kemi një ndër­gjegjësim të mbarë qytetarëve, të cilët nuk do të pajtohen me mënyrën se si hidhen hedhurinat dhe plehrat e ndryshme vend e pavend, si shpërdorohet uji në familje apo si dëmtohen sipërfaqet e blerta në komunitet”.

Në hyrje të librit përmendet edhe të kuptuarit e kësaj dukurie si faktor i rëndësishëm i qëndrimit të të rinjve ndaj mjedisit jetësor.

“Hulumtimet tregojnë se është i madh numri i nxënësve që nuk i kanë të njohura nocionet themelore mjedisore dhe se informimi i tyre në këtë fushë është i pamjaftueshëm, i ngushtë dhe i pjesshëm. Këtu duhet kërkuar shkaqet e qëndrimit të individëve ndaj mjedisit jetësor. Mirëpo, njohuritë për mjedisin në vetvete nuk e përbëjnë vetëdijen për mjedisin. Nxënësi mund të jetë i informuar për degradimin e mjedisit jetësor, por, megjithatë, të mos jetë faktor aktiv për mbrojt­jen e tij. Duhet të kihet parasysh që për formimin e vetëdijes ndikojnë një varg faktorësh që kushtëzojnë që vetëdija mjedisore të mos jetë e plotë”, thuhet aty.

Autori i librit i jep forcë qëndrimit se zhvillim i qëndrueshëm i mjedisit jetësor do të thotë shfrytëzimi në mënyrë racionale i burimeve natyrore mjedisore, me qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve tani dhe në të ardhmen.

Në kontekstin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, libri në përmbajtjen e tij trajton gjerësisht masat mbrojtëse për tokën, ujin dhe ajrin. Qytetet industriale, por edhe faktorët e tjerë ndotës e shkatërrues shfaqen aty si kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin ku jetojnë. Libri në terma shkencorë sjell hollësi edhe mbi rreziqet, përfshirë shterimin e shtresës së ozonit, ndryshimin e klimës dhe pakësimin e biodiversitetit.

Libri me 160 faqe, me botues “Librin Shkollor”, është dokument i rëndësishëm shkencor që mund t’u shërbejë ekspertëve, studentëve, institucioneve arsimore dhe organizatave të specializuara joqeveritare. Ky libër identifikon mjeshtërisht problemet e mjedisit në Kosovë, por shërben edhe si udhërrëfyes për ndërtimin e politikave dhe strategjive për mbrojtjen e mjedisit.

Skënder Sylaj, para nxjerrjes në dritë të këtij libri, ka botuar edhe shtatë libra shkencorë nga fusha e pedagogjisë, sigurisë e mjedisit. Po ashtu edhe dhjetëra artikuj e studime profesionale – shkencore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme