“Shkamat” sjell para gjilanasve dhimbjen e një çifti që humbi djalin në luftën e fundit në Kosovë

“Shkamat” sjell para gjilanasve dhimbjen e një çifti që humbi djalin në luftën e fundit në Kosovë

24 January 2020 11:30

Shfaqja "Shkamat" prodhim i EtnoTeatrit "Kukaj" me autor të tekstit dhe regjisor Fadil Hysaj, është shfaqur mbrëmjen e dytë të festivalit të dramës "Talia e Flakës" si pjesë e Manifestimit "Flaka e Janarit 2020".

Sipas njoftimit për media, shfaqja e trajton plagën e rëndë të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Drama psikologjike e dy personazheve kryesore, çiftit bashkëshortorë të cilët kanë humbur të gjitha shpresat pas vrasjes së djalit të tyre të vetëm 20 vjeçar, e të cilët nuk duan të pranojnë realitetin tronditës. Përmes dialogut të inkorporuar në shfaqje me pajtime e mospajtime, reagime instinktive herë të njërit e herë të tjetrit, dhe situatave paralele të bashkëbisedimeve me personazhe të imagjinuara në subkoshiencën e tyre brendapërbrenda subjektit narrativ të tërësisë së shfaqjes, aktorët e shfaqjes para auditorit të kultivuar gjilanas dramën psikologjike, duke përçuar mesazhin fundamental njerëzor e human se humbja e fëmiut të vetëm reflekton pasojat e pafund, deri tek humbja e arsyes logjike, si rrjedhojë e përjetimeve traumatike e psikologjike”, thuhet në njoftim.

“Loja emocionale e mishëruar me rolet përkatëse të bazuara në karakteret e personazheve nga aktorët kryesorë (Sheqerie Buçaj e Xhevdet Doda), si një pasqyrim i balancit të harmonisë natyrale individuale, me rënie e ngritje të tensionit dramatik, por edhe situata të relaksuara. si gjetje ideale regjisoriale për të shpërfaqur fundamentin e natyrës njerëzore të momenteve të ndryshme emocionale që përbëjnë jetën dhe përditshmërinë”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, për rreth 50 minuta, ata e kanë mbajtur të tensionuar publikun e pranishëm, deri në epilogun përfundimtar të shfaqjes së tërësi, herë - herë me narracion të ekzagjeruar në raport me veprimet dramatike të natyrës së shfaqjes, por gjithsesi të realizuar skajshmërisht nga "dora" mjeshtërore e regjisorit Hysaj.

“Loja e aktorëve Sheqerie Buçaj e Xhevdet Doda, sikurse edhe Bislim Muçaj (rol dytësor) kanë plotësuar tërësinë strukturore së bashku me komponentet tjera të shfaqjes teatrale, krahas ndriçimit, kostumeve e muzikës adekuate, dhe skenografisë 'modeste' (magje, sofër e oxhak) dhe orendi tjera të pakta, por gjithësesi funksionale si nevojë adekuate skenike”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, shfaqja "Shkamat", prodhim i teatrit "EtnoFest" është prezantuar në natën e dytë të festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020", i cili, me prurjet cilësore të dramës autentike shqipe gjatë këtyre dy netëve, edhe këtë edicion po dëshmon atë që është thënë sa e sa herë se mbetet festival unik i llojit të tij në mbarë hapësirën shqiptare.

Në ditën e tretë të festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020" të premten në program është shfaqja “Grviteti” me tekst të Lirak Çelaj e regji të Florent Mehmetit, prodhim i teatrit "Oda" nga Prishtina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme