Kulturë

“Dodona” – e vogël përballë interesimit të madh në shfaqjet për fëmijë

Biletashitësi Muharrem Plepolli, sa herë që ka shfaqje për fëmijë në “Dodonë”, ka goxha punë. Përshëndet një nga një të gjithë ata që ia mësyjnë të prenë biletë. Kështu ka bërë edhe të shtunën para mesditës për premierën e shfaqjes “Fjalët magjike”, nën regji të Shkurtë Aliut. Disave u ka treguar se rezervimet nuk vlejnë më pasi për to është dashur që të paraqiteshin 15 minuta para orarit të shfaqjes. E dikujt, ani pse ka kërkuar tri bileta, i ka thënë se mund t’ia japë vetëm dy të fundit që i kanë mbetur. Të tjerëve pas tij, u ka treguar se fatkeqësisht nuk mund t’u bëjë çare. Për t’i bindur ata që janë kthyer prapa pa e parë premierën e shfaqjes me tekst të Alba Hoxhës që u dha në dy terminë – prej orës 12:00 dhe orës 13:00 – biletashitësi ka lëvizur pak kompjuterin e tij brenda kabinës me xhama. Përmes ekranit u ka treguar se të gjitha ulëset janë zënë.

Përveç Plepollit, ditë e pazakonshme pune sa herë që ka shfaqje për fëmijë në këtë teatër, është edhe për pjesën tjetër të stafit. Vendosja e karrigeve shtesë afër murit të djathtë të sallës, ka kohë që është shndërruar në diçka të zakonshme. Rreth 13 mijë shikues kanë parë shfaqje në këtë teatër vitin e kaluar. Prej tyre, 90 për qind e shikuesve ishin fëmijë.

Interesimi për të parë shfaqjet për fëmijë tejkalon kapacitetet që ka teatri i qytetit të Prishtinës. “Dodona” ka 116 ulëse statike e 34 shtesë që në total akomodojnë 150 veta. Ky është kapaciteti që prej rinovimit të vitit 2004. Më herët ka pasur 165 ulëse. Rinovimi i fundit i “Dodonës” qe ai i vitit 2017.

Xhevdet Gegollaj, i cili kishte ardhur të shtunën se bashku me djalin e tij, Oli 3-vjeçar, ka treguar se i ka ndodhur që të vijë në teatër dhe të mos gjejë vend. Tregon se këtë të shtunë ka tentuar që të bëjë edhe rezervim përmes telefonit, mirëpo thotë se nuk ishte lajmëruar askush. E arsyeton me punën e madhe që mund ta ketë stafi sidomos kur ka premiera të shfaqjesh.

“Jemi shumë të kënaqur me mundin që bëjnë këta të teatrit ‘Dodona’, por shihet që kërkesa është shumë e madhe”, ka thënë Gegolli, njëri prej të shumtëve që ia ka dalë të marrë biletë për të e të birin.

“Më pëlqen shumë energjia e teatrit, zotërimi i tyre, por do të ishte mirë që të kishte më shumë investim dhe interesim më të madh edhe prej Komunës, e plus edhe të rritet pak kapaciteti. Komuna e Prishtinës në vend që të mendonte për investime në Badovc do të ishte mirë që të mendonte për investime e për ndërtim të një teatri për fëmijë në kryeqytet”, ka thënë ai.

Oli Gegolli ka mësuar mjaft nga shfaqja “Fjalët magjike”, të cilën e ka parë. “Më fal, faleminderit, të lutem”, i përsërit ai fjalët magjike që i ka mësuar. Personazh të preferuar e ka Spider-Manin e filmit të animuar. Maskën e këtij karakteri e ka mbajtur në duar edhe gjatë shfaqjes. Kur Dielli, njëri nga personazhet e shfaqjes thërret emrin e heroit të tij, Oli ia beh duke iu bashkuar thirrjes nga skena. Në këmbë është ngritur disa herë. Kështu ka komunikuar me aktorët dhe ndihmonte karakteret e shfaqjes, Hanën (Xhejlane Tërbunja), Diellin (Ermal Sadiku) apo kukullën Gishto (Roza Berisha-Fejzullahu). Interaktive ishte edhe pjesa tjetër e fëmijëve.

Shfaqja “Fjalët magjike” është bashkëprodhim midis regjisores Shkurtë Aliu dhe ”Dodonës”. Trajton nevojën e përdorimit të fjalëve magjike, si “më fal”, “të lutem”, “faleminderit” e të tjera. Hana dhe Dielli, dy shokë të mirë, janë personazhet kryesorë. Janë edhe shokë kopshti. Por, ndonjëherë përpos lojës, ata fjalosen goxha dhe kështu e prishin miqësinë. Në mënyrë që të mos e harrojnë sjelljen e mirë dhe për të treguar se sa të domosdoshme janë fjalët magjike, Gishto, shoku i tyre, ndonjëherë u bën lojëra që t’i vërë në provë.

Më gjerësisht lexoni në edicionin e sotëm të “Kohës Ditore”