Të famshëm të shumtë të Bollywoodit, i janë bashkuar krijuesit të kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos, në një ngjarje glamuroze të shoqëruar me parakalimin e yjeve mbi qilim të kaltër, në qytetin e njohur indian, Mumbai.
Bezos në këtë ngjarje të organizuar nga platforma për porosi online, “Amazon Prime Video”, shoqërohej nga e dashura e tij, prezantuesja televizive Lauren Sanchez, transmeton Koha.net.
Yje të shumtë të kinematografisë indiane, poashtu e ndoqën këtë gala mbrëmje, përfshirë këtu: Farhan Akhtar, Pankaj Tripathi, Vidya Balan dhe Kabir Khan.
Ndërkohë, Ministri indian i Tregtisë, Piyush Goyal, ka deklaruar që mendon se kompania miliarda dollarëshe “Amazon”, nuk i ka bërë ndonjë favor të madh Indisë me investimin e fundit 1 miliard dollarësh, duke paralajmëruar tensione me gjigantin amerikan të shitjes me pakicë.
Bezos e ka bërë publik këtë investim të mërkurën, duke thënë se do t’ia shtoj shtetit bizneset e vogla online. Derisa, investimi i fundit vjen pas 5.5 miliardë dollarëve që kjo kompani i ka investuar në Indi, që nga viti 2014.