Prishtinë, 15 janar – “Dhe faji nuk u kon i jemi, as ku jom kanë, as çka kam pasë vesh. Dhunuesi je ti”, janë vargjet e atij që është shndërruar në himn kundër dhunës ndaj grave.
U dëgjua të martën edhe në zëmër të Prishtinës. Dhjetëra aktiviste janë bërë tok në sheshin “Skënderbeu” afër Qeverisë e Kuvendit, për t’i dhënë jehonë kësaj kënge, e cila dëgjohet në gjuhë të ndryshme anekënd botës, e që në shqip ka ardhur me titullin “Një dhunues në rrugën tonde”, apo “Dhunuesi je ti”.
Duke qëndruar në linjë, e me sy të lidhur me shami të zezë, protestueset i drejtuan gishtat drejt fajtorëve, e që sipas këngës së tyre janë policia, gjykata, Parlamenti e shteti. “Shteti patriarkal është dhunuesi i jem”, “Një dhunues në rrugën tonde", apo “Dhunuesi je ti”, si himn feminist është thirrje globale që të ndalen fajësimi i viktimave dhe stigmatizimi i tyre. Teksti i këngës është përkthyer nëpër gjuhë të ndryshme, e kësaj radhe erdhi edhe në gjuhën shqipe. Edhe koreografia i qëndron besnike origjinales.
Krijuar në Kili nga kolektivi feminist “Les Tesis”, himni ishte performuar fillimisht gjatë një tubimi në qytetin Valparaiso, rreth 120 kilometra larg Santiagos, kryeqytetit të Kilit, më 20 nëntor të vitit të kaluar. Disa ditë më vonë, më 25 nëntor, për Ditën botërore për eliminimin e dhunës ndaj grave, një grup tjetër i grave u mblodh para Gjykatës Supreme në Santiago dhe afër ndërtesave të tjera qeveritare dhe bënë të njëjtën performancë. Në më pak se dy javë performanca u shpërnda nëpër vende të tjera dhe protesta të tilla që atëherë u mbajtën në Meksikë, Kolumbi, Argjentinë, Kanada, Australi, si dhe në vende të Evropës, si Francë, Spanjë, Gjermani, Turqi e të tjera. Tashmë në mesin e tyre është edhe Kosova.
“Sa ma shumë prej zërave, aq ma shumë jehonë për barazi e drejtësi”, ka thënë njëra nga pjesëmarrëset që ishte pjesë e performancës që u dha në kryeqytet. Ka preferuar të mbetet anonime. Kështu ishin akorduar pjesëmarrëset të cilat ka ditë që kanë ushtruar performancën së bashku.
“Është shkelje e të drejtave të njeriut. Të drejtat e grave, gjithandej në botë, vazhdojnë të cenohen. Gratë po vriten çdo ditë si pasojë e një sistemi shtypës social e shtetëror që po e legjitimon këtë shtypje”, ka shtuar ajo. Sipas saj, për këtë kanë zgjedhur që të performojnë para Kuvendit dhe Qeverisë që të kthejnë vëmendjen nga përgjegjësitë që kanë institucionet e Kosovës. Por përveç grupit që i ishin përgjigjur thirrjes publike që u bë më 7 janar për të mësuar performancën, edhe gra e vajza të tjera iu bashkuan të martën.
Në një studim të publikuar nga OSBE-ja në janar të viti 2019 mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave në Ballkan, shkruhet se 48 për qind e të anketuarve kosovarë janë dakorduar se dhuna në familje është një çështje private që duhet të trajtohet brenda shtëpisë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)