Kulturë

Promovohen librat e Gani Sylajt “Shenjat e përkatësisë” dhe “Burg pas burgu”

Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të autorit Gani Sylaj, sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, u promovuan librat e tij “Shenjat e përkatësisë” dhe “Burg pas burgu”.

Në këtë promovim të librave u nderua lart veprimtaria dhe kontributi i tij në luftën për çlirim dhe liri të popullit tonë.

Jakup Krasniqi, bashkëpunëtor i Gani Sylaj, tha se librat e përuruar sot dëshmojnë luftën e bijve shqiptarë për luftën për çlirim dhe për liri, dhe të cilat tregojnë jetën e vështirë të atdhetarëve në burgjet e Serbisë.

Për më tepër, Krasniqi tha se e gëzon fakti që autori la pas vetes libra të gatshëm për botim dhe shumë dorëshkrime të tjera që do të botohen shumë shpejt.

Ndërsa studiuesi dhe kritiku nga Tirana, Behar Gjoka tha se këta libra janë shumë të rëndësishëm dhe jetik. Gjoka ndër të tjera theksoi se libri “Burg pas Burgu” flet për jetën në burgje të Serbisë dhe jetën e tmerrshme të atdhetarëve tanë në këto burgje.

Ibrahim Gashi, profesor universitar theksoi se libri “Burg pas Burgu” është shumë i rëndësishëm, i cili e pasqyron periudhën e veprimtarëve për çlirim dhe liri, dhe i cili njëherësh tregon për jetën dhe vuajtjen e atdhetarëve.

“Libri “Burg pas burgu” mund të radhitet një ndër librat më të mirë e cila e pasqyron jetën e burgjeve dhe jetën e atdhetarëve dhe me leximin e këtij libri lexuesit mund të mishërohen me vuajtjen dhe jetën e veprimtarëve në burg”, tha ai.

Ismail Sylaj, vëllai i autorit Gani Sylaj falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u ndje mirënjohës për prezencën e tyre.

Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në Kishnarekë të Drenasit. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës.

Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990. Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh.Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit. Vdiq më 4 korrik të vitit të kaluar/KsP.