Kulturë

Ligj për ruajtjen e gjuhës shqipe, prioritet i ASHSH-së për vitin 2020

Descriptive Text

Akademia e Shkencave e Shqipërisë për vitin 2020 do të ketë prioritet edhe gjuhën shqipe. Kryetari i këtij institucioni, Skënder Gjinushi shpjegon se do t’i propozojnë qeverisë një ligj për ruajtjen edhe zhvillimin e saj. Ndërsa, gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet, se kjo duhet bërë pa qenë vonë, shkruan Shqiptarja.com

Dikur populli shqiptar ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot njerëzit kanë shumë diploma dhe flasin keq. Këtë shqetësim ngre akademiku edhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, teksa thotë se duhet më shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës shqipe, veçmas nga institucionet në vend. Ndërsa, kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi e cilëson si një nga prioritetet e institucionit që ai drejton për vitin 2020, hartimin e një fjalori të plotë për gjuhën shqipe dhe të një ligji, që ta mbrojë atë.

“Nëse se mbrojmë ne gjuhën shqipe, s’ka kush ta mbrojë tjetër. Në fushën e albanologjisë, Shqipëria dhe Akademia e Shkencave duhet që të jetë në avangardë. Në këtë drejtim duhet një ligj, edhe një fjalor i plotë. ASH ka bërë projekte më parë, por do t’i rishikojë dhe ripropozojë, me ligj edhe me vendime të Këshillit të Ministrave për gjuhën në institucionet publike”, shprehet akademiku Skënder Gjinushi.

Ndonëse, nuk është hera e parë që Akademia e Shkencave propozon ligj për gjuhën shqipe, kësaj here Gjinushi shprehet i vendosur për më shumë për vëmendje, edhe pse ky ligj do të prek institucionet që shpeshherë, siç rrëfen gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, nuk kanë as korrektorë edhe as redaktorë.

“Besoj se është një gjë e dëshirueshme, jo vetëm për mua, por për cilido shqiptar që do të mirën e Shqipërisë edhe ka krenari se është shqiptar. Sa mirë do të ishte që të flasim shqip, të kujdesemi për gjuhën edhe para se të themi fjalën ta mendojmë mirë. Do të dëshiroja që viti 2020 të jetë një vit i këndelljes për gjuhën shqipe. Populli shqiptar ka një pasuri fjalësh edhe shprehjesh, është një popull që ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot ka më shumë diploma edhe flitet më keq…”, shprehet Shkurtaj.

Prej 15 vitesh gjuha shqipe nuk ka një fjalor të ri. Fjalori i fundit i Gjuhës Shqipe, me rreth 48 mijë fjalë është botuar në vitin 2006 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, që asokohe në varësi të Akademisë së Shkencave.