Kulturë

“Letërsia shqipe” – çmimi i harruar me vetëm një laureat

Çmimit ndërkombëtar “Letërsia shqipe” nuk i është gjetur laureat tash e dy vjet. Ministria e Kulturës nuk e ka ndarë këtë çmim për vitet 2018 dhe 2019. I themeluar më 2017 nga kabineti i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ku çmimi i është dhënë vetëm shkrimtarit Ismail Kadare në prill të atij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Por gjërat kanë ndryshuar kur në krye të Ministrisë së Kulturës është emëruar ministri, tash në detyrë, Kujtim Gashi. Prej shtatorit të vitit 2017, kur Gashi udhëheq me MKRS-në, në këtë institucion nuk është diskutuar më ndarja e çmimit “Letërsia shqipe”.

Për këtë çmim ish-menaxhmenti i MKRS-së kishte ndryshuar Rregulloren për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi.

“Ministria e Kulturës, çdo vit në bazë të vlerësimit, ndan çmim të veçantë për personalitete, të cilët, me veprën e tyre kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, duke ndihmuar kështu në njohjen në përmasa ndërkombëtare të kulturës sonë”, shkruhet në Rregulloren e ndryshuar në mars të vitit 2016.

Vlera financiare e çmimit është 10 mijë euro. Vendimin për laureatin e merr vetë ministri i Kulturës, në konsultim me Këshillin e Librit. Çmimi mund të ndahet vetëm një herë brenda një viti.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)