Libraritë e kryeqytetit, në vitrinat e tyre gjatë këtyre ditëve kanë ekspozuar tituj të ndryshëm. Të njëjtit i kanë lidhur me fjongo me motive krishtlindjesh e të Vitit të Ri. Pranë u kanë vendosur aksesorë të ndryshëm festash.
Qëllimi i këtyre dekorimeve është që librat të blihen si dhurata për festat e fundvitit. Nuk mungojnë as zbritjet për këtë periudhë, të cilat variojnë nga libraria në librari dhe varësisht nga titujt. Sipas librarëve, në Kosovë kultura sa i përket librit është duke ndryshuar dhe çdo vit e më shumë ai po shihet si një dhuratë e duhur, sidomos për festat e fundvitit, shkruan Koha Ditore.
Numri i blerësve të librave gjatë festave të fundvitit rritet gjatë kësaj periudhe të vitit, thotë Edon Zeneli nga libraria “Buzuku”. Në vrullin e punës ai ndan pak kohë për bisedë tek konstaton se gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar, kërkesat dhe shitjet e librave janë në rritje.
Edhe Sebahate Çavdarbasha, e cila ka 20 vjet si librare në “Dukagjini”, ka thënë se çdo vit shumë e më shumë njerëzit po vetëdijesohen për librin. Ajo ka treguar se në fillim kanë qenë fëmijët ata që për një veprim të mirë ishin shpërblyer me një libër si dhuratë, ndërsa së fundi ka thënë se është edhe më e shprehur te të gjithë.
Se libri po kthehet në dhuratë e pohon edhe Fidan Imeri, menaxheri i shitjes në Grupin KOHA.
“Libri blihet shumë si dhuratë dhe ka të tillë që vijnë dhe e blejnë një libër dhe e marrin edhe një tjetër si dhuratë. Kryesisht gjatë festave ka kërkesa për libra, mirëpo ndryshimi nuk është aq i madh”, ka thënë ai.
Imeri ka treguar se autori më i shitur nga Botimet KOHA është Veton Surroi me romanet e tij, përfshirë këtu “Fshehtësia e zbulimit të Hanës”, që ishte libri më i kërkuar në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
Pastaj thotë se janë përkthimet nga Flaka Surroi, si “Kosova: Një histori dokumentare” redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani” e te romanet përmend, “Gërsheti i prerë” të Majlinda Bregasit....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)