Filmi dokumentar, nën regji të ukrainasit Mstyslav Chernov, sjell vrasjet e shkatërrimet. Është një lloj testamenti, megjithëse veç një fragment i periudhës së luftës dhe krimeve të kryera. 20 ditët e para të agresionit rus në Mariupol vijnë brenda rrëfimit drithërues që flet nëpërmjet përballjes heroike, vuajtjes e frikës. “20 days in Mariupol” në shënim të dyvjetorit të shpërthimit të luftës në Ukrainë ka kthyer njërën prej hapësirave të “House of Europe” në një lloj kinemaje
Kur janë bërë pak ditë më shumë se dy vjet prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, një pjesë e rrëfimit ka ardhur në Prishtinë nëpërmjet dokumentarit “20 days in Mariupol”. Filmi dokumentar, nën regji të ukrainasit Mstyslav Chernov, sjell vrasjet e shkatërrimet. Është një lloj testamenti, megjithëse veç një fragment i periudhës së luftës dhe krimeve të kryera. 20 ditët e para të agresionit rus në Mariupol vijnë brenda rrëfimit drithërues që flet nëpërmjet përballjes heroike, vuajtjes e frikës.
“House of Europe” në shënim të dyvjetorit të shpërthimit të luftës në Ukrainë ka kthyer njërën prej hapësirave të saj në një lloj kinemaje. Ka ndezur projektorin për të sjellë fatet tragjike të popullit në Ukrainë. Flet për një vend që refuzon me këmbëngulje të shkëputet nga shteti.
Filmi “20 days in Mariupol” (20 ditë në Mariupol) i gazetarit Chernov, i cili e ka punuar filmin bashkë me fotografen Evgeniy Maloletka dhe producenten e gazetaren Vasilisa Stepanenko nis me momentin kur tanket hyjnë në qytet. Atë ditë Evropa qe zgjuar me luftë. “Dikush më tha se lufta fillon me qetësi, jo me zhurmë”, me këto fjalë nis tregimi i Chernov. Pamjet tregojnë qytetin që ngjan i braktisur. Në shumë raste banorët ishin në bodrume.
Kur sulmet nisin, regjisori sigurohet se po dokumenton reagimet e njerëzve. Ato edhe i ka në fokus. Takon një grua të tmerruar. E këshillon të shkojë në shtëpi, pasi pushtuesi nuk do të godiste civilët, siç kishte deklaruar publikisht presidenti rus, Vladimir Putin. Por, po sulmonte shtëpi e spitale në çdo cep të vendit.
“Nuk dua të vdes. Sot më zgjuan zhurmat e bombave”, thotë një fëmijë në dokumentar. Edhe ai ka gjetur strehë në bodrume.
Në ditën e katërt të pushtimit, më 27 shkurt, patrullat policore ukrainase ishin gjithandej në hapësirat e qytetit juglindor të Ukrainës që gjendet në kufi me Rusinë.
Regjisori është në fushëbetejë. Ai përballet edhe me frikën e panikun e njerëzve që ndikojnë në tentativat për ta ndaluar atë së filmuari. Në dokumentar janë dramat e luftës për jetë a vdekje. Janë edhe klithmat e frikës. Një lloj tregimi se si spitalet bëhen vend i shërimit e vdekjes. Edhe shënjestër e sulmuesit. Ato mbushen përplot me njerëz. Zemra e shumë prej tyre ndalon aty e trupat përfundojnë në bodrume të ndërtesave. Ngadalë këto të fundit shemben.
Përjetimet përballë numrave
Me filmin dokumentar “20 days in Mariupol” në më shumë se një orë e gjysmë regjisori sjell në mënyrë kronologjike avancimin e luftës nga dita në ditë. Aty bën edhe një lloj krahasimi të mënyrës së raportimit. Derisa ekrani sjell lajmet nga e gjithë bota, ku shifrat duken veç numra e shtëpitë veç objekte, detajet në dokumentar përcjellin emocione të fuqishme. Dhimbja për humbjen e njerëzve e shtëpisë, frika për shkëputjen e vendlindjes nga shteti e lufta për mbijetesë përfshihet aty. Dokumentari tashmë ka marrë çmime prestigjioze.
Në ditën e shtatë të nisjes së pushtimit, forcat ruse po sulmonin shtëpi, njerëz, ani pse zyrtarisht udhëheqësit rusë ishin deklaruar se do të përballeshin veç me ushtrinë ukrainase.
Pamjet e rënda vijnë pa censurë. Mstyslav Chernov rrëfen në dokumentar se një fëmijë po luante pranë shkollës ku vijonte mësimin kur u masakrua nëpërmjet hedhjes së një bombe. Dhimbja e humbjes është një prej gjërave në të cilat është fokusuar regjisori i filmit.
“Kjo është e dhimbshme për t’u parë. E tillë edhe duhet të jetë”, thotë ai.
Shpalosja e pamjeve të datës 3 mars dokumenton se si ditë pas dite kushtet në spital bëhen më të vështira. Gjymtyrët e njerëzve nisin të amputohen për shkak të lëndimeve të rënda. Morgu s’ka më hapësirë.
Në rrëfimin në dokumentar për ditën e nëntë të luftës autori nis të bëhet njëri prej personazheve të dokumentarit. Duket se nuk reziston dot të anashkalojë aspektin personal. Pa dashje ngjan se përfshin informacione personale. Shfaq brengosjen e tij për familjen, veçmas dy vajzat e tij, për të cilat nuk ka dëgjuar prej ditësh si pasojë e mungesës së internetit e energjisë elektrike.
Shumë prej skenave në dokumentar kthejnë në vitet 1999, mund të ngjajnë me luftën në Kosovë. Një linjë radioje jep informacione të rëndësishme dhe është e vetmja që funksionon.
Të rrethuar nga alarmet paralajmëruese, zhurma bombash e plumbash, klithma, njerëzit bëhen agresivë, të frikësuar për jetën e tyre e të shqetësuar për atë të të afërmve. Ngjan se heshtja bërtet në disa sekuenca të shkurtra.
“Sa më shumë njerëzit kuptojnë se janë të rrethuar, aq më shumë dëshpërohen”, rrëfen autori i dokumentarit.
Varri masiv
Sulmi me artileri të rëndë, manovrimet në ajër me helikopterë ushtarakë e breshëritë e plumbave i rrethojnë ata dhe bëhen pjesë e përditshmërisë me të cilën nuk adaptohen dot. Objekti i maternitetit është sulmuar. Një varr masiv duhej të hapej. Pamjet prapë vijnë pa filtra. Në pamje të trishta e në terrene të rrezikshme, Chernov filmon duke qenë pranë armikut, ku makineria e vdekjes është kudo. Edhe mbi kokën e tij.
Propaganda e politikës e mediave ruse përshihet gjithashtu. Televizionet ruse me të njëjtat pamje të filmuara nga Chernov nga spitali i maternitetit, raportonin se Ukraina kishte punësuar aktorë për të aktruar si viktima. Dhe, jo vetëm. Nja dy minuta të dokumentarit që i kushtohen kësaj pjese vijnë si momente absurditeti dhe indiference totale ndaj jetës së tjetrit.
Dokumentimi i luftës
Filmi dokumentar ka sjellë emocione të forta te publiku. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka thënë se filmi është dokument i rëndësishëm i luftës.
“Është një film tragjik që shfaq luftën, viktimat e luftës, tragjeditë nga të cilat është prekur popullata civile. Gjithashtu shfaq se si njerëzit janë të guximshëm. Filmi është nominuar edhe për çmimin ‘Oscar’ kështu që ka dy javë kohë për të parë se çfarë do të ndodhë. Është vërtet i rëndë demonstrimi i luftës dhe ato çfarë ndodhin në rrethana të ngjashme tek popullata civile, sikur në Mariupol. Është shenjë se sa e rëndësishme është të përballesh me pushtimin rus”, ka thënë Szunyog për KOHËN.
Sipas tij, Kosova me kohë u është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Kjo, sipas tij, e ka bërë vendin të pozicionohet në mënyrë të duhur për ngjarjen që do të mbetet në histori, si mbështetëse e Ukrainës. Szunyog ka thënë se nuk mundet të flasë për agresionin pa u fokusuar në krimet që janë kryer duke shkelur ligjin ndërkombëtar.
“Është agresion i pajustifikueshëm dhe shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht agresioni po vazhdon dhe duket pa vend kjo ngjarje tragjike. Ne duam të nënvizojmë rëndësinë e kësaj lufte, jo veç për Ukrainën, por për gjithë Evropën, veçmas për Ballkanin Perëndimor me theks në Kosovën. Mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kësisoj dëshmon se qëndron në anën e duhur të kësaj ngjarjeje që do të mbesë në histori”, ka thënë ai.
Filmi “20 days in Mariupol” i ukrainasit Mstyslav Chernov ka mbërthyer Evropën dhe jo vetëm me rrëfimin e tij.
Në ditën e 20-të të luftës, të fundit që ilustrohet me imazhe, tymi në qiell krijon renë e zezë mbi qytet. “Qyteti po vdes ngadalë, si një njeri”, thotë narratori i cili është edhe njëri prej personazheve me punën e tij si reporter nga vatra e luftës e ka bërë botën të njoftohet në kohë reale me ngjarjet në Ukrainë.
Ai është korrespodent lufte e filmbërës, fotograf, fotoreporter e romancier në mbulimin e ngjarjeve të ndryshme si lufta civile në Siri, pushtimi rus në Ukrainë, përfshirë edhe rrethimin e Mariupolit.
Në dokumentimin e këtij të fundit për Mariupolin ai mori çmimin “Pulitzer”, ndërsa në karrierën e tij si gazetar është shpërblyer me çmimet “Deutsche Welle Freedom of Speech”, “Knight International Journalism Awards”, “Bayeux Calvados-Normandy Award”, “Elijah Parish Lovejoy Award”, “Free Media Awards”, “CJFE International Press Freedom Award”, “Royal Television Society Television Journalism Awards”.
Incizimet nga Mariupoli u bënë bazë për filmin “20 Days in Mariupol”, i cili u përfshi në programin garues të “Sundance Film Festival” në vitin 2023. Aty filmi dokumentar fitoi çmimin e audiencës në kategorinë e dokumentarëve në garë zyrtare ndërkombëtare.
Këto ditë, më 18 shkurt, filmi dokumentar “20 days in Mariupol” ka fituar çmim nga Akademia Britanike. Mori “BAFTA” për dokumentarin më të mirë. Vetë regjisori fitoi çmimin “Directors Guild of America Aëards”.
“Simboli i luftës dhe besimit”
Derisa kishte pranuar çmimin, Chernov kishte thënë se dokumentari është simbol i luftës.
"Ky film nuk është për ne. Bëhet fjalë për Ukrainën, për popullin e Mariupolit. Historia e Mariupolit është simbol i gjithçkaje që ka ndodhur. Një simbol i luftës. Një simbol i besimit. Faleminderit për fuqizimin e zërit tonë”, kishte thënë regjisori, skenaristi e producenti i filmit “20 days in Mariupol”
Është përshkruar si “film thelbësor dhe dokumentar i pamëshirshëm dhe vërtet i rëndësishëm” nga “The New York Times” dhe “kryevepër e guximshme” nga “The Guardian”.
“Është nder i pabesueshëm që Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit ka njohur '20 Days in Mariupol', një film që ka qenë vendimtar në edukimin e audiencës globale rreth luftës në Ukrainë. Jemi shumë krenarë për ekipin e AP që e sollën këtë dokumentar në botë. Ndikimi i gazetarisë nuk mund të nënvlerësohet”, kishte thënë Daisy Veerasingham, presidentja e “Associated Press”.
Filmi dokumentar i metrazhit të gjatë është edhe konkurrent për çmimin “Oscar”. Është nominuar në kategorinë e dokumentarit më të mirë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në natën e 10 marsit.
Filmi ishte shfaqur premierë në Kosovë në edicionin e kaluar të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. Programeri i filmave në këtë festival, regjisori Samir Karahoda, e ka vlerësuar filmin si të fuqishëm e drithërues.
“Film drithërues”
“Për herë të parë ’20 days in Mariupol’ e kam parë në kinemanë ‘Lumbardhi’ në ‘DokuFestin’ e kaluar. Është një film jashtëzakonisht i fuqishëm dhe drithërues. Edhe pse ishte hera e dytë që e shikova, ndjenja ishte e njëjtë, pa komente dhe duke i bërë vetes qindra pyetje lidhur me atë se ‘përse ka nevojë bota për gjëra të tilla’”, ka thënë Karahoda, duke konsideruar se filmi dokumentar ka impakt të përdoret edhe si dëshmi e krimit të kryer mbi popullatën civile në Ukrainë.
“Është një film që do të ketë impakt edhe në të ardhmen, që me siguri se do të përdoret edhe në Gjykatën e Krimeve të Luftës kundër shtetit rus për vrasjen dhe bombardimin e civilëve. Ky film më së miri e dëshmon edhe rëndësinë e gazetarëve në zonat e luftës dhe fuqinë e imazheve që bota të shohë të vërtetën të cilën gjithnjë Rusia u mundua ta fshehë”, ka thënë regjisori Samir Karahoda.
Në shënim të dyvjetorit të luftës në Ukrainë, ditë më parë filmi dokumentar “20 days in Mariupol” u shfaq edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.