Parlamenti hungarez tashmë e ka kaluar një ligj që rrit kontrollin qeveritar mbi teatrot në vend.
I shtyrë përmes një procedure të ngutshme, ligji që parasheh një Këshill Kombëtar Kulturor “për mbikëqyrjen e centralizuar strategjike të sektorëve kulturorë” është kaluar të mërkurën me një shumicë dërrmuese në koalicionin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri konservator, Viktor Orban.
Termat e draftit janë ndryshuar pjesërisht si pasojë e protestave masive nga skena kulturore hungareze dhe politikanëve opozitarë, të tillë si bashkiaku i ri i Budapestit, Gergely Karacsony.
Drafti origjinal, që ishte bërë publik në fillim të dhjetorit, përfshinte shfuqizimin e Fondit Kombëtar për Kulturë dhe kufizimin e subvencioneve shtetërore për institucionet e pavarura kulturore. Qeveria do të kishte edhe fjalën e saj në vendimet për subvencione dhe emërimin e drejtorëve të teatrove.
Ligji i miratuar nuk prek financimin e institucioneve kulturore sikundër ishte menduar në draftin e parë. Për shembull, Fondi Kombëtar i Kulturës do të mbetet në vend. Megjithatë, komunat që duan të pranojnë subvencione shtetërore duhet të pajtohen që Qeveria të luajë rol në menaxhimin e institucionit dhe emërimin e drejtorit të tij. Këshilli Kombëtar i Kulturës, i lidhur me Qeverinë, do të lëshojë udhëzues e rekomandime në fushën e kulturës. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)