Kulturë

“Gjenocidi XX” me imazhet që dokumentojnë krimet ndaj shqiptarëve

Prishtinë, 11 dhjetor – Thirrjet “dok” e “komandant”, që u dëgjuan në hyrje të Muzeut Kombëtar të Kosovës, mbrëmjen e së martës, ishin një paralajmërim që ekspozita që po shpalosej aty kishte të bënte me luftën. “Dok”, i drejtoheshin mysafirët autorit të ekspozitës Enver Hoxha, i cili gjatë luftës ishte pjesë e stafit mjekësor në zonën operative të Llapit, punoi në spitalin ushtarak, por ishte edhe në terren me ushtarët e UÇK-së dhe popullatën civile.

Hoxha përveç që u ofronte ndihmë mjekësore atyre që kishin nevojë, shkrepte edhe fotografi. Imazhet e kapura përfshijnë tre kapituj: ushtarët e UÇK-së, pjesën e spitalit ushtarak dhe popullatën civile. “Gjenocidi XX” e ka titulluar Hoxha me rreth 100 fotografi të realizuara gjatë muajve mars-maj të vitit 1999, që u shpalosën në Muze. Nëntitulli i saj vjen si thirrje: “Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”.

Në katin përdhese, në anën e majtë, shihen imazhet e banorëve të strehuar në shkollën e Bajgorës, radhët e gjata të popullatës me traktorë e në këmbë duke ikur, e mbijetesa në male. Nga mesi i hapësirës zënë vend fotografitë që dëshmojnë dëmet nga lufta në prona, një bukë që ka mbetur e papjekur, një traktor i djegur. Imazhet me të cilat përballja s’është e lehtë, gjenden disa hapa më tutje, në anën e djathtë të hapësirës. Aty shpalosen fotografitë e njerëzve të ekzekutuar, masakruar e plagosur nga predhat. Nuk janë kursyer as fëmijët e as të moshuarit. Këto fotografi janë cilësuar si dëshmi e gjenocidit ndaj shqiptarëve nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për ta dokumentuar atë që ka ndodhur, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i ka kërkuar autorit që disa prej tyre të mbesin në këtë institucion.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

{gallery}