Kulturë

“Letërsi e përgjakur” - në Stokholm nderohet me Nobel mohuesi i gjenocidit, Handke

Përzgjedhja e Akademisë suedeze për çmimin Nobel për Letërsi, ka marrë kritika të ashpra që nga tetori, meqë fituesi i tij mohon gjenocidin e kryer në Bosnje dhe të vrarët e luftërave në Ballkan gjatë viteve ‘90.

Peter Handke, ishte shpërblyer për punën me ndikim derisa eksploronte ‘periferinë dhe specifikat e përvojës njerëzore”, shkruante në njoftimin e Akademisë suedeze kur iu dha çmimi, raporton KTV.

Por, përvojën e hidhur të më shumë se 8 mijë viktimave të gjenocidit vetëm në Srebrenicë, Handke e injoron derisa nuk e fsheh se është përkrahës i presidentit serb, Slobodan Millosheviq, regjimi i të cilit ka vrarë mijëra njerëz gjatë luftërave në Ballkan.

Nënat, që kishin humbur fëmijët në luftëra, thanë se ajo çfarë ndodhi në Ballkan dihet dhe se kriminelët janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare. E që nga tetori, organizata e asociacione të viktimave të luftës janë bashkuar në kundërshtimin e Nobelit për Letërsi, dhe thirrjeve që i njëjti mos t’i jepet Handkes.

Në Stokholm, në ceremoni shumë luksoze me shumë mysafirë para familjes mbretërore suedeze, Hadke si dhe laureatët e mjekësisë, fizikës, kimisë dhe ekonomisë shumë krenarë pranuan çmimet.

“Puna e Handkes është e mbushur me zbulime të mëdha, dhe dëshirë për të eksploruar. Ai, megjithatë, sulmon botën letrare me përshkrim të realitetit. Shkrimi i tij ka ndikim për gjenerata të shumta në Evropë”, ka thënë Anders Olsson, profesor, Akademia suedeze.

Gjatë ceremonisë nuk është thënë asnjë fjalë lidhur me kundërthëniet që e përcollën Nobelin për letërsi. Dhe, jashtë objektit të Akademisë suedeze kishte numër të konsiderueshëm njerëzish që kishin dalë për të protestuar.

E përpos protestës, më shumë se 58 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion online duke kërkuar që çmimi për Handken të tërhiqet. Për më tepër edhe gazetarë, të cilët kishin raportuar nga Bosnja gjatë luftës, kanë ngritur zërin kundër Nobelit për Handken. Mes tyre ishte Christiane Amanpour nga CNN.

“Unë isha ty. Të gjithë e dimë se kush është fajtor”, shkroi ajo në Twitter.

Kosova, Shqipëria, Bosnja, Turqia, e shtete të tjera kanë bojkotuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Stokholm.

Megjithatë, e gjithë zhurma e krijuar rreth Nobelit për letërsi këtë vit, nuk ka ndikuar në qëndrimet e Handkes.

Ditë më parë gjatë bashkëbisedimit me gazetarë, ai tha se preferon letër tualeti krahasuar me pyetjet e zbrazëta dhe injorante të gazetarëve lidhur me gjenocidin. E në një intervistë me televizionin suedez, Handke kishte refuzuar të përdorte termin gjenocid, duke e përshkruar atë çfarë ndodhi në Srebrenicë me ‘vrasje vëllazërore’.

Ironikisht, ceremonia e Nobelit ku u nderua Handke, rastisi në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në ditën kur liderja de facto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi u paraqit në Hagë për të dhënë shpjegime lidhur me gjenocidin ndaj komunitetit rohyngya atje dhe në kohën kur zyrtarët serbë të papenguar e quajnë masakrën e Reçakut, trillim.