Kulturë

Sikur Nietzche të ishte në shkollë të mesme

Një klikë tinejxherësh që nuk e gjejnë veten askund, banorë të pjesës periferike të Anglisë, janë buzë moshës së pjekurisë dhe kohën e kalojnë duke u ankuar për jetët e tyre të klasës së mesme, në pritje të ankthshme të së ardhmes, shkruan sot Koha Ditore.

Me hyrjen në skenë të një djaloshi të ri, një të panjohuri që ishte dëbuar prej një akademie elitare dhe që e shkarravit fjalën “NIHILIZËM” në faqen e parë të fletores së tij, gjithçka rreth këtij grupi lartësohet në diçka më të thellë. Atij ia vënë emrin Nietzche dhe ne kurrë nuk ia mësojmë emrin e vërtetë.

Romani i ri i veçantë e Lars Iyer, “Nietzsche and the Burbs” nuk është se trajton ngjarje dramatike. Në të ka ahengje, ngasje me biçikletë dhe provime. Vetëm njëra anëtare e grupit, Chandra, shërben si narratore, por zëri i këtij romani është zë kolektiv: një thirrje përplot zemërim. “Kush duhet të jemi ne?”, është pyetja që e shtron romani. “Çfarë duhet të duam? A jemi ndryshe prej njerëzve që i urrejmë? A nuk do të duhej të bëhemi si ata në fund?”.

Pyetjet e tilla shtrohen pafund. Nietzche mban një bllog për jetën e zymtë periferike. (“Asgjë nuk do të ndodhë, jo sot”).

Grupi e shikon “Melancholia”-n dhe e lexon Dostojevskin. Droga konsumohet dhe marrëdhëniet intime nuk janë përjashtim. “Përse ndihemi aq të lodhur, në vitet më të mira të jetës sonë”, pyet narratorja. “Përse po na merr gjumi, në kulmin e jetës sonë?” Mendojeni një gërshetim të “On the Genealogy of Morality” me “The Breakfast Club”. E tillë duket të jetë ky roman.

Mund të mos befasoheni me faktin se Iyer është ligjërues i kamotshëm i filozofisë (ai aktualisht është ligjërues i shkrimit kreativ në Universitetin e Newcastle). Romani i tij i mëparshëm, “Wittgenstein Jr.,” është version argëtues i këtij romani; ajo e shndërronte filozofin austriak, Ludwig Wittgenstein në profesor të Cambridges, i parë nga sytë e studentëve të tij. “Nietzsche and the Burbs” i mbetet besnik së njëjtës formulë.

Edhe ky roman ka dozë humori. Protagonistët tinejxherë të Iyerit janë lehtë të identifikueshëm, gjë kjo e dhimbshme: Ata shqetësohen për mortajat bashkëkohore, si sulmet masive nëpër shkolla, fatkeqësitë natyrore dhe kalbja e kapitalizmit. (Nuk është për t’u habitur nihilizmi i tyre).

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)