Arti i imazheve të vetëdijesimit

Arti i imazheve të vetëdijesimit

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 08 December 2019 08:20

Për të fotografia nuk është për të kapur pamje të bukura, por për të fiksuar çastin, emocionet e një gjendjeje. Kështu, arti i fotografisë bëhet më i vështirë kur shpjegohet përtej teknikave, shkruan sot Koha Ditore.

“Për mua fotografia është përkapja e momentit, emocionit apo bërja e dukshme e asaj që është, por që s’vërehet e s’shihet”, thotë Karin Brongers. E lindur në Holandë, ajo e përshkruan zanatin e vet si fotografe dokumentarësh teksa shpalos për “Kohën Ditore” përvojën e saj në artin e fotografisë.

“Jam vetëm një grua – e lindur në Holandë – me pasion për fotografinë. Ajo më jep alibi për të qenë në kontakt me njerëz gjithëfarësh”, thotë ajo.

Për Brongersin, Kosova nuk është e panjohur dhe as rrethepërqarku i vendeve fqinje. Angazhimi i saj në cilësinë e ekspertes në EULEX nuk është e vetmja përvojë me Kosovën dhe as një episod jete që do të kondensohej në kujtime të një pune brenda zyrës.

Me sytë e saj të kurreshtshëm për të penetruar përtej sipërfaqes së realiteteve dhe me lentet e aparatit të saj fotografik, fotografja holandeze ka pikasur një Kosovë tjetër me fate njerëzish që ditët i ngrysin në përpjekje për mbijetesë e ekzistencë. Me të arritur në Prishtinë, Brongers ishte mbresuar fort nga ajo që shihte kur ecte trotuareve të ngarkuara në “Rrugën B”.

“Natyrisht se nuk prisja të gjeja këtu një zonë lufte, e dija që Prishtina po zhvillohej si qytet bashkëkohor, por nuk e prisja që të shihja radhë veturash tepër të shtrenjta, të parkuara shkel e shko gjithandej”, rrëfen ajo.

Përveç shtangies së atypëratyshme, ajo ishte bërë e tëra pikëpyetje: si ndodh kjo në një vend me një shkallë kaq të lartë papunësie dhe ku gjithçka varet prej të hyrave nga jashtë? Brongersit nuk do t’i duhej të qëmtonte shumë për të zbuluar atë që e quan “ana krejt tjetër e Kosovës”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme