Kulturë

“Unë jam vetë grua” si kronikë e mbijetesës në dy sisteme

Prishtinë, 6 dhjetor – Se Adrian Morina është në gjendje të luajë disa role brenda një shfaqjeje, nuk është kurrfarë risie. Por që ai mund t’i portretizojë dhjetëra role brenda një monodrame me një nivel të mahnitshëm, tregon fuqinë e tij prej aktori.

Janë rreth 30 personazhe në të cilat është futur brenda një ore gjatë monodramës “Unë jam vetë grua”, premiera e së cilës është dhënë të mërkurën mbrëma në teatrin “Dodona” në Prishtinë. Bëhet fjalë për jetën e një prej transgjinoreve më të njohura jo vetëm në Evropë. Gjermanja Charlotte von Mahlsdorf është transgjinorja që u ka mbijetuar dy sistemeve diktatoriale, por në demokraci kishte ikur nga vendi i vet. Qysh në fillim të shfaqjes bëhet me dije se do të shpaloset një kronikë bardhezi. Prezantimi që ia bën vetes Von Mahlsdorf shoqërohet me ndezje e ndalje të reflektorëve në skenë. E errësira e ndal edhe fjalën e saj. Më vonë merret vesh se gjatë gjithë jetës, ajo ishte ndaluar jo vetëm të shprehet, por edhe ishte keqtrajtuar. Von Mahlsdorf ishte themeluese e muzeut “Gründerzeit”. Rrëfimi i saj në skenë vjen pikërisht duke qëndruar aty. Skenografia e përgatitur nga Njomëza Luci e shndërron skenën në muze. Transformimin e ndihmon mjeshtërisht edhe muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi sikurse edhe efektet e dritave, dizajnuar prej Skender Latifit, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjitha gjësendet e tregtares së antikuarëve janë të vendosura në pllaka gramafoni që janë të varura në litarë gjithandej. Von Mahlsdorf nis të rrëfejë se gjatë Luftës së Dytë Botërore dëgjonte goxha shumë muzikë amerikane. Këtë e bënte edhe në kohën kur Gjermania naziste po bombardohej nga forcat aleate. Ishte maltretuar shumë gjatë asaj kohe. Madje edhe ishte keqpërdorur seksualisht.

Rrëfimi i monodramës me autor Doug Wright, që ka fituar çmimet “Pulitzer” e “Tony”, prek disa prej momenteve më të renda të jetës së transgjinores. Gjithçka shpaloset si një intervistë që Von Mahlsdorf i jep dramaturgut amerikan në Muzeun që është edhe shtëpia e saj.

Adrian Morina kapërcen nga roli në rol. Nuk e bën këtë thjesht duke thënë tekstin. Ndërron çehren, vendin, zërin, duke e çuar lojën në nivelin më të lartë sa i përket shpërfaqjes së gjendjes emocionale. Nën regji të Kushtrim Koliqit zbërthehet se si i ati i transgjinores ishte nazist. E pas ndarjes nga e ëma e saj, në moshë relativisht të re, Von Mahlsdorf gjatë një zënke kishte vrarë babanë, Max Berfelde, një ushtarak i tmerrshëm që ia kishte mësyrë ta vriste “djalin” e bashkëshorten. Me gjithë hallet, Von Mahlsdorf ia del t’i shpëtojë burgut shkaku i luftës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”