Promovohet libri “Mbrojtja e afërt dhe mbrojtja e personave shumë të rëndësishëm”

Promovohet libri “Mbrojtja e afërt dhe mbrojtja e personave shumë të rëndësishëm”

05 December 2019 15:28

Fidair Berisha, trajnues për vite të tëra në Njësinë Speciale për mbrojtjen e afërt të Policisë së Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare ka promovuar librin “Mbrojtja e afërt dhe mbrojtja e personave shumë të rëndësishëm”.

Në promovimin e këtij libri nga të pranishmit u tha se ky libër i kushtohet një fushe të ndjeshme, duke hedhur kështu dritë mbi shumë aspekte dhe mbrojtjen personave të rëndësishëm.

Autori Fidair Berisha tha se këtë libër ia ka kushtuar dy prindërve të tij, e që sipas tij kjo lidhet edhe me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

“Këtë libër ia kam kushtuar dy prindërve të mi, babait tim të ndjerë dhe nënës e cila sot na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj. Këtë libër e promovoni ju, e që i bie se vepër e juaja është vetë prania juaj. Siç e dini, unë jam duke punuar ende në Policinë e Kosovës dhe së bashku me kolegët jemi përpjekur dhe vazhdojmë të përpiqemi të japim kontributin në shërbim të ofrimit të sigurisë sa më të mirë. Në raport me këtë më lindi ideja që punës sime profesionale t’ia bashkëngjis edhe diçka përtej një materiali apo rregullore të punës, të cilat e parashohin operativitetin e mbrojtjes. Jam munduar që gjërat që deri tani nuk kanë qenë shumë të njohura për opinionin e as për sigurimin, t’i prezantoj në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Berisha.

Recensenti Veton Zejnullahu tha se ky libër është i veçantë dhe se ai do t’iu shërbejë të gjithëve, në veçanti studentëve dhe policisë.

“Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se ky libër nuk është shkruar në kabinet, por autori e ka shkruar në ecje e sipër duke qenë se i ka përvojat personale nga kjo fushë. Duke e ditur faktin se në Kosovë është e ngritur Akademia Policore si dhe Fakulteti i Sigurisë, atëherë këtij libri i shtohen vlerat, sepse bëhet aset i rëndësishëm në duart e studenteve dhe policëve për veprimet e ardhshme në Policinë e Kosovës”, tha Zejnullahu.

I ftuar nga Shqipëria, Xhevat Limani, tha se gjatë gjithë jetës ka qenë një përshtypje e gabuar ndaj policisë si institucion i shtetit.

“Motivi pse erdha është: unë gjithë jetën si të gjithë shqiptarët ishim mësuar që të kemi një averzion ndaj policisë, institucionit të shtetit, të cilin e kishim si gogol dhe imagjinoni vetëm të na arrestojnë, të na marrin në pyetje, të na vrasin dhe të mos dihet as nam as nishan, nga ajo që është më e vlefshme, jeta e njeriut dhe kjo bindje më ndryshoi kur shkova në SHBA, unë kuptova që policia nuk kishte qenë për të arrestuar, për të vrarë dhe për të marrë shpirtra, por për të zbukuruar jetën njerëzve dhe për të krijuar mirëqenie sociale që ata të jenë falënderues Zotit që u ka dhënë shpirtin. Prandaj e falënderoj dhe kam ardhur këtu duke e kuptuar këtë libër si kontribut për të zbukuruar jetën qytetarëve të Kosovës”, tha Limani. /KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme