Kulturë

“Artistët e së nesërmes” me vepra kontrastesh në pritje të fituesit

Tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” për këtë vit kanë biseduar të mërkurën me vizitorët e ekspozitës në lidhje me veprat që kanë realizuar, e me të cilat synojnë çmimin tradicional. Në hapësirën e ish-klubit të boksit “Prishtina”, ku tash e një muaj janë ekspozuar veprat e tyre, publiku i ka rënë rreth e përqark ekspozitës, e cila është ndarë në tri pjesë. Artistët njëri pas tjetrit kanë ndarë detaje nga procesi i realizimit të veprave.

Edona Kryeziu, e cila është lindur dhe rritur në Gjermani, ka biseduar për identitetin e dyfishtë me të cilin përballen emigrantët. Ka thënë se pyetjen që shpeshherë ia ka bërë vetes është: “Kush vendos se cilit komunitet i përkasim”. Përgjigjen e saj ka thënë se e eksploron në veprën “Përkohshmëritë e çuditshme”, shkruan sot Koha Ditore.

Mbi 20 monologë i kishte mbledhur artistja me qëllim që të mësojë më shumë për eksperiencën e diasporës. Instalacioni i saj përfshin monologun e dy personave anonimë nga Kosova që kanë shkuar në Gjermani.

Në anën tjetër të murit, artisti nga Prizreni, Somer Şpat, për dallim nga Kryeziu ka përdorur imazhe. Përmes tyre i ka bërë një lloj homazhi linjës hekurudhore Prizren-Klinë në veprën e tij “Ne i ndërtojmë hekurudhat, hekurudhat na ndërtojnë neve”. Nëpërmjet videove dhe fotografive paraqet gjendjen aktuale, ku vegjetacioni ka mbuluar hekurudhën e pashfrytëzuar. Po ashtu, ka ekspozuar edhe imazhet me të cilat e përditshmja “Rilindja” kishte dokumentuar se si punëtorë vullnetarë po ndërtonin linjën hekurudhore. Janë fotografi të shkrepura midis viteve 1959 deri më 1963. Zanafilla e hulumtimit për këtë hekurudhë, siç ka thënë, kishte nisur më 2016.

E Dion Zeqiri ka biseduar për pamundësinë e shprehjes së vullnetit. Ai paraqitet me dy vepra që janë të lidhura me njëra-tjetrën.

“Impossible desire” (Dëshira e pamundur) përthekohet në një dorë të paralizuar. Dora është skanuar në gjendje reale e pastaj është printuar në formatin 3D. E “No content” (Pa përmbajtje) sjell një incizim të thellë të trurit që ka pësuar sulm e nuk është në gjendje që të kualifikojë se çfarë po ngjan me trupin.

Juria në përbërje të Charles Esche, drejtor i “Van Abbemuseum” në Holandë, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” më 2018, Adam Kleinman nga Fondacioni Kadist Art, Sezgin Boynik, teoricien, Jelena Vesiq, kuratore e shkrimtare, janë ata që do t’i vlerësojnë veprat për këtë vit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)