Prishtinë, 2 dhjetor – Nëse ndonjë historiani të artit do t’i duheshin shembuj të zhvillimit të artit në Kosovë, ata do t’i gjente në ekspozitën kolektive të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës.
Ekspozita e hapur të hënën mbrëma, nëpërmjet 49 veprave, ofron një tablo të krijimtarisë së tre brezave të artistëve të vendit.
Periudha kohore që përthekon shtrihet prej tablove të Rexhep Ferrit e Tahir Emrës, kalon në gjeneratën tjetër të Musë Prelvukajt e Skender Boshtrakajt dhe vazhdon me gjeneratën e re të Agron Blakçorit e Pranvera Sulejmanit.
Ndryshimi i rrymave të artit, i preokupimeve, varësisht nga koha kur kanë jetuar, e evoluimi i artit deri te konceptet kontemporane, janë një tjetër perspektivë prej nga mund të shihet mozaiku krijues i artistëve.
Në ekspozitën e dytë me radhë të anëtarëve të Asociacionit, si veprat më të mira janë vlerësuar një peizazh imagjinar i punuar me vaj në pëlhurë, një vepër ku nëpërmjet teknikës së kombinuar janë paraqitur portrete dhe një fotografi që ka përmbledhur natyrën e qiellin e reflektuar në ujë.
“Nga Edeni ‘Peizazh’”, që paraqet një kopsht të madh lulesh të ndryshme me ngjyra të ndezura, me autor Faik Krasniqi, është shpërblyer me Çmimin e parë. “Portretet” e Agron Mulliqit është vlerësuar me Çmimin e dytë, ndërsa fotografia “Ëndrra e peshkut”, me autor Enver Bylykbashi, ka marrë Çmimin e tretë nga juria, në përbërje të profesorëve universitarë të artit, Adem Rusinovci e Ismet Jonuzi, dhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}
-
Nga: Shaban Maxharraj
-
3 dhjetor 2019 09:33
-
Shpërndaje në: