“Earthquake Bird” për krimin dhe agoninë e emigrantes në Tokio

“Earthquake Bird” për krimin dhe agoninë e emigrantes në Tokio

Christopher Hooton 01 December 2019 11:37

Nëse “Gone Girl” fliste për pritjet e nënkuptuara se një grua duhej të ishte “vajzë cool”, “Earthquake Bird” – kushëriri shpirtëror i trilerit të famshëm të David Fincherit – fokusohet te një tjetër pritje jorealiste gjinore: “vajza e qetë”.

Në këtë film Alicia Vikander e luan Lucky Flyinin, një emigrante që gjen strehim në Tokion e fundit të viteve ‘80, por që pas disa viteve joshet prej një fotografi të pashëm lokal, Teiji Matsuda (Naoki Kobayashi), shkruan sot Koha Ditore.

Teiji mishëron versionin e mençur të një të ligu. Është prej atyre tipave që flet me gjuhë të drejtpërdrejtë, është skajshmërisht i qetë dhe stoik, madje deri në masën sa që duket tejet tërheqës, ama në të njëjtën kohë shfaq edhe tendenca paksa psikopatike.

As Lucy nuk është fort ekstroverte, dhe çifti gjen qetësinë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Shumë shpejt lëshohen në një marrëdhënie plot pasion. Mirëpo, telashet midis tyre nisin të vlojnë me ardhjen e Lily Bridges, një amerikane joshëse, paksa mendjelehtë, që porsa është vendosur në megaqytetin aziatik. Halli është se ndaj saj nisin të ushqejnë njëfarë epshi si Lucy ashtu edhe Teiji.

Rolin e Lilyt e luan Riley Keough, e cila ka nisur të bëhet aktorja e preferuar e Hollywoodit për karakteret që shërbejnë si joshje për protagonistët.

Me regjinë e Wash Westmorelandit, filmi është adoptim i librit të Susanna Jonesit me të njëjtin titull – “Earthquake Bird” (Zogu i tërmetit). Filmi dominohet prej skenave të rëndomësisë së këtyre karaktereve dhe bashkëveprimeve të tyre, por jo në atë mënyrën që e krijon ndjesinë e një dendurie dhe stërngarkimi (siç rëndom dinë të jenë adoptimet kinematografike të librave). Ky në fakt është një film shumë i drejtpërdrejtë, ama në mënyrë të këndshme – një triler tipik për një trekëndësh dashurie dhe një vajze të zhdukur. Po kaq të kënaqshme janë të gjitha elementet e kinematografisë japoneze që ngërthen në vete ky film.

Lucy frekuenton disa herë një karaoke, kujdeset për një dru bonsai, përgatit çaj japonez e veshur me kimono dhe ulet e fle mbi dyshemenë tipike japoneze tatami. Këto skena janë gërshetuar vërtetë me hijeshi, me hollësi të mprehta të periudhës dhe me mjeshtërinë kinematografike të Chung Chung-hoonit, që nuk është fare imponues ama ia del t’i reflektojë karakteristikat dhe elegancën e Japonisë.

Duke e pasqyruar qetësinë e mjedisit paqësor që e rrethon, Alicia Vikander duhej të mishëronte një mal emocionesh që e hanin përbrenda pa e thënë asnjë fjalë për to në këtë film. E shohim qartë teksa zihet në vete qetësisht, derisa Teiji dhe Lily afrohen me njëri-tjetrin dhe fillojnë ta anashkalojnë, thjesht duke e lënë vetëm në gjysmë të rrugës gjatë një shëtitjeje diku në malet e Japonisë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme