Përbindëshi i animuar ngjyrë portokalli, i cili është baterist në bendin “Dr. Teeth and The Electric Mayhem” në “The Muppet Show”, që për herë të parë është shfaqur në vitin 1975, kishte qenë frymëzimi i parë për Valon Berishën. Ai e kishe menduar veten në vend të Animalit duke iu rënë baterive. Animal ishte i vetmi personazh i cili u shfaq në çdo film ku ishte edhe grupi. Dallohej për entuziazmin dhe lojën e zjarrtë në bateri, shkruan sot Koha Ditore.
Këto veçanti i ka trashëguar nga personazhi i preferuar i animuar edhe bateristi Berisha, duke i shtuar edhe kompozicione të komplikuara dhe rrugëtimin e tij nëpër disa stile. Berisha luan në tupanë që nga viti 1993, kur ishte në shkollë fillore. Në koncertin e tij të parë në vitin 1994, siç thotë ai, me vështirësi i kishte arritur bateritë për t’iu rënë me shkopinj.
“Tupanët e parë kanë qenë bankat e shkollës. I kam ra tavolinës edhe këmbës. E kam pasë një pjesë në këmbë që m’u pati bërë sikur me e depilu, se non-stop duke i ra”, kujton ai duke qeshur. Pasi që në fillim nuk kishte pasur bateri, ai kishte improvizuar.
“Në klasë të tretë apo të katërtën nuk kam pasur tupan, mirëpo duke shikuar e analizuar, i pata realizuar një palë me kova, e çka kam gjetur. I kam marrë do qese plastike, filma të rëntgenit edhe këqyrsha qysh edhe të tjerët po improvizojnë, pasi që në atë kohë shumë pak kanë pasur bateri të vërteta”, ka kujtuar ai.
Berisha kishte filluar me “rap metal”, pastaj kishte lëvizur në “grunge” dhe e përfundoi shkollën e mesme me “hardcore”.
“Kalimi nëpër këto zhanre nuk ka qenë i lehtë”, thotë ai dhe tregon se momentalisht është duke bërë hip-hop edhe pop. Ai ka bashkëpunuar me disa artistë si Dafina Zeqiri, BimBima e Taste 2. Së fundi Berisha së bashku me bateristët Violand Shabani dhe Teoman Ukça kanë themeluar edhe festivalin “Prishtina Drum Festival”, i cili është mbajtur më 25 nëntor në “Kino Armata” në Prishtinë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)