Kulturë

Sopranoja për të cilën muzika është rruga drejt së vërtetës

Sopranoja amerikane, Catherine Wethington, gjatë performimit të saj kërkon të krijojë një lidhje me publikun. Diçka të tillë ka bërë edhe gjatë performancës së saj në Prishtinë në fillim të muajit të kaluar. Ani pse interpretimi i saj u prit me duartrokitje, ajo nuk beson që para publikut në Kosovë ka dhënë më të mirën prej vetes. Këso bindjeje ka pas çdo koncerti. E ka një arsye për këtë, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk besoj që e kam dhënë performancën time më të mirë diku, pasi që jam gjithmonë duke ndryshuar si artiste, por edhe si muzikante. Si rezultat, çdoherë që jam në skenë, jap diçka të re”, thotë sopranoja.

Wethington ka interpretuar në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit të muzikës kamertale “KamerFest”, i cili u mbajt nga 17 shtator deri më 17 nëntor. Për të, një performancë e mirë është ajo që zgjon emocione te publiku.

“Momentet e mia të preferuara janë ato kur ndikoj te publiku, qoftë me lot apo me të qeshura, nuk ka shumë rëndësi. Por e di që për atë periudhë të shkurtër të kohës ne kemi qenë të lidhur”, thotë Wethington. Sipas saj, njerëzit shkojnë për të dëgjuar muzikë live për shkak të ndjenjave që pranojnë gjersa e dëgjojnë atë.

Energjia unike e skenës

“Nëse një artist nuk është i lidhur me audiencën atëherë ajo apo ai nuk është duke e bërë punën e tij. Publiku duhet që të ndihet plotësisht i sigurt dhe në të njëjtën kohë të qëndrojë në qoshe të ulëses. Çfarë do të bëjnë ata pastaj? Pra, është një energji dhe entuziazëm në teatro që nuk mund të gjenden në ndonjë vend tjetër”, thotë ajo.

Kujton se babai i saj gjithmonë i ka thënë se do të gjejë miq kudo që të shkojë dhe kjo, sipas saj, është shumë e vërtetë në botën e muzikës.

“Është një komunitet i veçantë i artistëve dhe çdoherë që ju takoni një artist e kuptoni se ju keni miq të përbashkët. Kështu që disa nga miqtë e mi më të afërt janë njerëz me të cilët kam performuar”, thotë ajo. Në Kosovë sopranoja Wethington ka interpretuar me mikun e saj, pianistin Derek Han nga Amerika, dhe flautisten kosovare, Zanë Abazi.

“Më pëlqen sesi krijimi i muzikës ndërton lidhje të mahnitshme në mes të artistëve”, thotë ajo. E një miqësi të tillë thotë se i ka ofruar edhe Kosova, madje është çuditur me afërsinë që kanë njerëzit.

“Të gjithë ishin shumë miqësorë, madje njëherë i thashë mikes sime Zanë Abazi se po mendoj që ajo e njihte taksistin tonë. Mirëpo, ajo më tha se asnjëherë nuk janë takuar, ani pse mua mu krijua përshtypja që ishin miq”, ka treguar ajo.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)