Kulturë

Romani që estetizon shëmtinë e botës rivjen për lexuesit

Ishte botuar një dekadë më parë, madje një kapitull i tij ishte përkthyer edhe në revistën letrare boshnjake “Sarajevske Sveske”. I vlerësuar si krijim që shpërfill ideologjinë nacionaliste, aq i shpeshtë në prozën shqipe, alegoria e romanit “Në Klubin e të shëmtuarve” të shkrimtarit Gëzim Aliu ndërton paradigmën krijuese që estetizon shëmtinë e botës sonë, “përballë së cilës kategoritë e tjera estetike, sidomos e bukura, ngufaten, luftohen”, shkruan sot Koha Ditore.

Dhjetë vjet pasi ka fituar Çmimin Vjetor Kombëtar si romani më i mirë i vitit 2019, që ndahet nga Ministria e Kulturës, “Botime Artini” e ka risjellë për lexuesit këtë roman.

Në recensionin e romanit, Donika Dabishevci ka vlerësuar se ribotimi ofron një paralelizëm mes realitetit fiksional dhe atij faktik të atdheut të autorit.

“Përmes dinamikës së veçantë narrative, më saktësisht lojës së fortë me kohën dhe, edhe rrëfimit ‘pa dorëza’ të personazhit kryesor, që njëkohësisht është edhe narrator i historisë së vet, shpërfaqet individi i tëhuajsuar në shëmtinë e një bote thuajse pa shpëtim; shoqëria e dehumanizuar, kriza kulturore e vlerore, zhdukja e normave morale, mosnjohja e asnjë lloj detyrimi a përgjegjësie individuale a shoqërore, rrëmujë që përmes parimeve e ligjësive të tjera nxjerr në pah synimet e një grupi shoqëror, ‘të shëmtuarve’ që nuk zgjedhin mjete për të shtrirë dominimin dhe pushtetin”, ka shkruar recensentja Dabishevci.

Sipas saj, teksti “Në Klubin e të shëmtuarve” mund të “shijohet edhe si një roman i shkruar me elegancë artistike, nga një autor që njeh mirë teknikat e shkrimit dhe rrëfimit dhe që ka vetëdije të lartë estetike”.

I lindur më 1977, Gëzim Aliu është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist, doktor i shkencave në letërsi. Bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një pjesë e krijimtarisë së tij letrare është përkthyer tashmë në disa gjuhë të huaja. Në mesin e veprave të tij të botuara janë: “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë” (studim, 2007); “Libri i fundit” (tregime, 2012); “Katedralja pa kryq” (roman, 2014); “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963-1990, retorika e tekstit dhe narracioni” (monografi, 2016, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar) dhe “Gosti në natën e parë të vjeshtës” (roman, 2017, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi 2018; ribotuar më 2019 nga Botimet KOHA).