Arzana Kraja - regjisorja e rrëfimeve autentike Foto: Arben Llapashtica

Arzana Kraja - regjisorja e rrëfimeve autentike

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 14 November 2019 08:42

Idealistët i vlerësonte shumë. Një kategorie të tyre ua kishte kushtuar edhe filmin “Fusha e mëllenjave”.

“Idealistët janë pa zë momentalisht”, kishte thënë Arzana Kraja në qershorin e këtij vitit, derisa fliste për filmin. Zëri i saj ishte kinematografia. E nëpërmjet kësaj gjinie të artit ajo do të vazhdojë të dëgjohet. Kraja, e lindur më 2 janar të vitit 1981, është gjetur e vdekur të mërkurën paradite në banesën e saj, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë. Miqtë e saj, e kolegët e profesionit, e kanë vlerësuar si të veçantë në punë e në jetë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kraja ishte regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ishte regjisore, asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore. Ishte njëra ndër themelueset dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga vitit 2002 deri më 2007.

Kraja është autore e tetë filmave të shkurtër, midis tyre “Kulla e sahatit”, “Shkurta”, e tre filmave dokumentarë, midis tyre, “Përmes syve të mi” e “Kosova ime”. Në korrikun e këtij viti filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë artistik, “Fusha e mëllenjave”, ishte dhënë premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” në Prishtinë. Bashkë me Shkumbin Istrefin ishin regjisorë të serialit “Kafeneja jonë”.

Vdekja e saj është përshkruar si një humbje e madhe për kinematografinë e Kosovës. Regjisori e profesori universitar i regjisë së filmit, Isa Qosja, e ka njohur Krajën si studente e kolege. Derisa ka folur për të, Qosja ka thënë se Kraja me të vërtetë ka qenë studente shembullore me sjellje motivuese për t’i ligjëruar. Sipas tij, ajo ishte e disiplinuar dhe e përfillshme.

“Po ashtu si regjisore ishte shumë e përkushtuar. Të gjithë studentët kanë një përkushtim, por kjo ka pasur veçanti e kërkesa specifike në regjisurë. Mendoj që kemi humbur një regjisore shumë në perspektivë dhe një njeri të jashtëzakonshëm”, ka thënë Qosja. Për filmin e saj “Shkurta”, ka thënë se është një film me vlera të jashtëzakonshme e simbolikë të bukur.

Aktori e producenti Shkumbin Istrefi është një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Krajës. Në filmin e saj “Fusha e mëllenjave” ai bart rolin kryesor, atë të Sylës. Është portreti i një idealisti të flaktë për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe ’90, që paslufta e ka gjetur në Britani të Madhe e tejet të zhgënjyer me miqtë e tij të dikurshëm pasi po e zhvatnin vendin.

“Është humbje e madhe për kinematografinë kosovare dhe për komunitetin artistik”, ka thënë Istrefi.

“Nga bashkëpunimi ynë në serial e film, mendoj se ka qenë një prej regjisoreve më të mira të reja që i kemi sot”, ka thënë ai.

Sa i përket formimit të saj si artiste, dramaturgu Visar Krusha ka thënë se Kraja ishte njeri me kulturë të pasur dhe shumë mirë e informuar me botën përreth dhe shumë e përgjegjshme për të, gjë që, sipas tij, shihet edhe në punën e saj si regjisore.

Si artiste inteligjente e me sens të veçantë në trajtimin e veprave kinematografike, e ka përshkruar Krajën drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.

Në shenjë respekti ndaj familjes Kraja dhe komunitetit artistik, me rastin e vdekjes së Arzana Krajës, Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën mbrëma ka anuluar reprizën e shfaqjes “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”. Gjatë ditës së mërkurë, në adresën e familjes Kraja janë nisur disa telegrame të ngushëllimit. E udhëheqësit shtetërorë kanë reaguar në mënyra të ndryshme.

Familja ka njoftuar se varrimi i Krajës do të bëhet sot (e enjte), në orën 14:00, në varrezat e qytetit, në Prishtinë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme