Peter Handke dhe pasaporta sekrete nga Jugosllavia e Milosheviqit

Peter Handke dhe pasaporta sekrete nga Jugosllavia e Milosheviqit

Peter Maass 09 November 2019 15:23

Pranvera e vitit 1999 ishte një kohë e zënë për Peter Handken, shkrimtarin kundërthënës austriak që muajin e kaluar fitoi çmimin “Nobel” për letërsi.

Asokohe Handke veçse ishte kritikuar për libra të ndryshëm që vlerësoheshin si mohim i gjenocidit serb ndaj myslimanëve në Bosnjë. Por pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët filluan fushatën e bombardimeve ndaj caqeve serbe më 25 mars, Handke u zhyt edhe më thellë në politikën e luftës duke udhëtuar në Beograd për të shprehur solidaritetin me vendin e izoluar dhe të fortin e tij, Slobodan Milosheviq.

“Vendi im është në Serbi nëse kriminelët e NATO-s bombardojnë”, kishte thënë Handke.

Fushata 78-ditëshe, që gjakonte të dëbonte ushtrinë e Milosheviqit jashtë Kosovës, përfundoi më 9 qershor, e njëjta ditë kur Handke ndodhej në Vjenë për përurimin e dramës së tij më të re, një kritikë me një tis të hollë për gjyqet e krimeve të luftës që po mbaheshin kundër disa serbëve, përfshirë edhe Milosheviqin. Këto ishin kohë tejet të polarizuara për Handken, dhe derisa pikëpamjet e tij proserbe njiheshin atëbotë, një kapitull i jetës së tij po shpleksej e që nuk është publikuar deri më sot.

Më 15 qershor 1999, më pak se një javë pas përurimit të dramës së tij mbi krimet e luftës, Handke fitoi pasaportë jugosllave nga Ambasada jugosllave në Vjenë. Sipas ligjit të kohës në Jugosllavi – që përbëhej prej dy republikave, Serbisë dhe Malit të Zi shumë më të vogël – pasaportat u lëshoheshin vetëm qytetarëve jugosllavë. Nuk është e mundur të përcaktohet nga faqet e qasshme të pasaportës së Handkes nëse ai kishte marrë edhe shtetësinë jugosllave krahas asaj austriake, paçka se pasaporta shkruan “jugosllav” te “shtetësia”./theintercept.com

(Artikullin e plotë në shqip mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme