Kulturë

Historia nuk mund të ndalet…

Po më duket sikurse një xham është thyer. Pas gjithaq vjetësh të humbura në të cilat shihej varfëria shpirtërore, heshtja, kokultësia dhe vendnumërimi, përnjëherë vërehet shpërthimi i masës, e cila është e gatshme që ta ndërrojë rrjedhën e kohës në dobi të veten. Çfarë kthese!

Aty ku deri vonë ishin ushtarët e armatosur deri në dhëmb, aty ku policët bënin roje dhe syrit të tyre nuk i shpëtonte asgjë, gjendet populli me frymën e vet të lirë, duke treguar se është i gatshëm që të bëjë gjithçka për lirinë e vet, dinjitetin dhe ardhmërinë…Kjo masë është përplot shpresa dhe e bindur se asgjë më nuk mund ta ndalë procesin e nisur të demokracisë.

Ajo është e bindur se koha e dhunës ka mbetur prapa, si një njollë e pashlyer të cilën do ta kujtojë historia…Më kujtohet se si para pak ditësh te unë vinin njerëz të thjeshtë dhe pyetnin gjithë kërshëri se çfarë do të ndodhë.

E unë ju thosha se dhuna do të thyhet, se ajo nuk mund të qëndrojë përgjithmonë. U thosha se forca sado e madhe që të jetë nuk mund t’i bëjë ballë dëshirës së popullit për liri dhe pavarësi. Ata më shikonin gjithë drojë dhe ca prej tyre mbase më merrnin për të marrë? Të tillë janë shkrimtarët, thoshin.

Unë dëshiroja që atyre t’ua zbuloja forcën e tyre, t’ua bëja me dije se nuk ka gjë që mund ta ndalë vullkanin, i cili një ditë duhet të shpërthejë. Duhej, pra, që t’ua ktheja besimin në vetvete, atë besim të cilin nga shtypja e gjatë për pak se e patën harruar. Tash kur po ju shoh këtu, në këtë shesh, të tubuar me qindra e mijëra, si bletët, e di se pata të drejtë dhe se besimi në popull është besim në fuqinë e pashtershme, të cilën nuk ka forcë që mundet ta shuajë. Ajo gjen prore mundësi që të aktivizohet, ashtu siç u aktivizua tash. Tash, kur gjendemi së bashku, kështu tok, secili ndien gëzim dhe besim në vetvete.

Secili thotë: njëmend qenka kështu…Bashkimi bën fuqinë…Populli është i pandalshëm, ndërsa dhuna e përkohshme…Krijuesi është i lumtur kur ia del që këtë ta kultivojë te populli e më i lumtur kur sheh se ajo realizohet. Para jush e ndiej veten edhe më të fortë. Shoh se meditimet e mia të gjata, shkrimet e mia dhe gjithë ai konfrontim me dhunën dhe të ligën, nuk kanë shkuar huq. Unë kam qenë i bindur se do të ngadhënjejnë, por nuk ma ka marrë mendja, se ajo për të cilën kam besuar dhe kam luftuar do të duket aq madhështore…


Helmut Flieg, i njohur kryesisht me emrin e tij të pendës Stefan Heym, ishte një nga shkrimtarët më të njohur gjerman të shekullit njëzet. I lindur më 10 prill 1913 në një familje tregtare hebraike në Chemnitz, ai studio në Universitetin e Chicagos, ku më 1936 përfundoi disertacionin e tij mbi Heinrich Heinen. Ndonëse autoritetet komuniste të Gjermanisë Lindore fillimisht i kishin rezervuar një trajtim të privilegjuar, përplasja e ndërsjellë ishte vetëm çështje kohe. Gjatë viteve ’80, Heym kishte qenë një nga eksponentët më të zëshëm për ribashkimin e Gjermanive. Kësaj kauze i dedikoi një sërë fjalimesh në Berlinin lindor gjatë vjeshtës së vitit 1989. Kështu, pesë ditë para rënies së Murit të Berlinit, më 4 nëntor të 1989-s, Heym kishte mbajtur këtë fjalim në mitingun para Alexanderplatz. Me një pjesëmarrje prej rreth gjysmë milioni njerëzish, ky miting u vlerësua si më i madhi në historinë e Gjermanisë Lindore. Ndërkaq, në vitet që pasuan ribashkimin, ai do të bëhej gjithnjë e më kritik ndaj diskriminimit që po iu bëhej gjermanëve lindorë në Republikën federale, ndërsa publikisht parapëlqente një alternativë socialiste kundrejt kapitalizmit. Ky fjalim i tij, disa ditë më vonë u botua edhe në gazetën “Rilindja”. Vdiq më 16 dhjetor të vitit 2001 në Ein Bokek të Izraelit