Kjo shtëpi u ndërtua në vitin 1989 dhe që nga viti 1991, ishte e gatshme për banim.
Rrethanat e krijuara në kohën e okupimit serb bënë që ajo të shndërrohej në shkollë.
Nga ambienti ku dëgjoheshin bisedat familjare u kthye në vend ku dëgjohet zilja që paralajmëron fillimin e orëve mësimore.
Shtëpia u bë adresë mësimi për mijëra nxënës të shkollës “Sami Frashëri” përgjatë një dekade.
I gjithë ky rrëfim u rijetësua për publikun nëpërmjet shfaqjes “Muret flasin”, me regji të Kushtrim Mehmetit, raporton “Express” i KTV-së.
Fadilit, asokohe 15-vjeçar, iu mohua ëndrra që ta ketë një dhomë personale.
Së bashku me anëtarët e tjerë të familjes u zhvendosën në një shtëpi tridhomëshe.
Shfaqja “Muret flasin”, e bëri audiencën ta përjetojë atë kohë, derisa shumë të pranishmëve u risolli kujtimet nga bankat e dhomës së shndërruar në klasë.
Regjisori i shfaqjes përmes këtyre skenave, sjell tmerret e përjetuara në stacione policore e brenda klasave ku nxënësit futeshin me këpucë, e deri te dalja me vrap jashtë.
Shfaqja e iniciuar nga ETEA, ka pasur për synim kthimin e vëmendjes te ky objekt.
Shtëpia e Mehmet Herticës në lagjen “Kodra e Trimave” është një nga objektet kryesore që pasqyron luftën e fundit në kryeqytet.